“Mos të kërcejmë si pleshta”; “s`po e kuptoni strategjinë”: Presidentja Osmani qortohet për kritikat ndaj Hillit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot i ka reaguar ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili ka thënë se Serbia është më afër NATO-s se Kosova. Ky veprim i shefes se shtetit, nuk po shihet me vend nga njohësit e rrethanave politike në vend.
Ata kanë bërë me dije se kritikat e presidentes për ambasadorin Hill nuk i kontribuojnë raporteve në mes të dy vendeve.
Sipas tyre, përfaqësuesit e Kosovës nuk po e kuptojnë strategjinë e ShBA-së ndaj Serbisë.
Politologu Agon Maliqi ka bërë me dije se Kosova nuk mund ta dikton politiken e ShBA-së.
“Hill është ambasador në Serbi, atë punë e ka, me e ledhatu opinionin publik në Serbi. Ndërkohë ai dhe ambasada atje paralelisht rrjedhin informata në media (shikoni raportin e javës së shkuar në median opozitare Nova TV) se Serbia i ka financuar kompanitë e Radojcicit disa ditë pas Banjskës - informatë që “koincidoi” me deklaratën e Escobar në Prishtinë. Për ata që duan të kuptojnë dhe nuk janë delirantë gjeopolitikë që mendojnë se politika e SHBA duhet të diktohet prej Kosovës, në lojë më shumë është njëfarë strategjie perfide e përqafimit cinik të Vuçiqit deri në vdekjen e tij politike; e përdorimit të dobësisë së tij për ta shtyrë marrëveshjen me Kosovën dhe e zbutjes së sentimentit anti-perëndimor në Serbi”, ka thënë Maliqi.
Sipas tij, deklarata e ambasadorit Hill teknikisht ka qenë e saktë.
“Përndryshe deklarata e Hill është teknikisht e saktë: Serbia ka më shumë ushtrime të përbashkëta me NATO-n dhe po kontribon në prioritetin e saj kryesor që është armatimi i Ukrainës. Edhe Kosova sot mund të ishte më afër NATO-s po të mos qeverisej nga një qeveri që e shpërfill koordinimin me NATO-n, kërcënon në kurriz të saj dhe mundohet t’ia diktojë politikën”, ka shkruar Maliqi.
Edhe më i ashpër me presidenten Osmani ka qenë politologu Shkodran Ramadani.
Ai ka thënë se pretendimet e shefes se shtetit nuk i kontribuojnë raporteve në mes të dy vendeve.
“Kjo është me të vërtetë një pikë e re e degradimit të relacioneve ShBA-së dhe Kosovës, ndërkohë deklarata e presidentes Osmani nuk i kontribuon asgjë përmirësimit të këtij raporti. Madje, më duket që është më acaruese dhe më konfrontuese, kështu që, duket që kjo qeveri, përveç faktit që e ka dëmtu raportin me ShBA, nuk duket që po reflekton. Nuk duket se është duke u munduar se si t’i riparoj raportet, por vetëm si t’i acaroj edhe më shumë”, ka thënë Ramadani për “Periskopi”.
Ndërsa, profesori universitar Milazim Krasniqi ka thënë se deklaratat e Hillit duhet të bëj Kosovën të mendoj.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se askish nuk duhet të kërcojë si plesht nga deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd.
“Deklarata e ambasadorit Hill se Serbia është më afër NATO-s se sa Kosova, duhet të na bëjë të mendojmë e jo të kërcejmë si pleshtat. Hilli është gjigand i diplomacisë amerikane, ai e njeh rajonin tonë më mirë se kushdo tjetër në SHBA. Ai është politikëbërës, jo thjesht ambasador. Mesazhet e fundit nga SHBA janë të njëjta: qeveria e Kosovës nuk është parnter i besueshëm amerikan. Faktikisht është antiamerikane. Kush kupton, kupton. Kush nuk kupton, e kupton më vonë”, ka shkruar Krasniqi.
Kritika e Osmanit ndaj Hillit
Presidentja Vjosa Osmani sot është shprehur e shqetësuar me deklaratat e ambasadorit Hill, të cilat tregojnë raportet e afërta të Serisë me aleancën e NATO-s.
Para gazetarëve, ajo ka thënë Serbia, “lëre që është larg NATO-s, por as nuk mendon që një ditë do të jetë pjesë e saj”.
“Ekziston vetëm një shtet më larg NATO-s se sa Serbia dhe ajo është Rusia. Një shtet si Serbia i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, lëre që është larg NATO-s por as që mendojë një ditë që të jetë pjesë e NATO-s. E dyta, pikërisht Serbia vetë është anti-vlerave të NATO-s, nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri që të anëtarësohet ndonjëherë në NATO. Pra është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO dhe është kundër NATO-s. Serbia është shteti i vetëm që para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Republikës së Kosovës.”, është shprehur Osmani.
Më tej, e para e shtetit të Kosovës ka thënë se kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s, i ofendon viktimat e Serbisë së Millosheviqit.
“Serbia kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj gjenocidale, është një shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Serbia është një shtet që akoma fle mbi varreza masive, kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s, nuk i ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa drejt NATO-s, mirëpo ofendon viktimat e Serbisë së Millosheviqit.", ka thënë Osmani.
Një ditë me parë, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se aktualisht Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova.
Në një intervistë për RTS, ai ka thënë Serbia është partnere e NATO-s.
"E dini, në fakt, nëse shikoni se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova.”, është shprehur ambasadori amerikan, duke përmendur bashkëpunimin konkret me ushtrinë serbe.
"Për momentin po. Kjo tani është shumë e vërtetë. Pra, ju sigurisht e dini se ne punojmë çdo ditë me ushtrinë serbe. Ne kishim stërvitje, kishim një sërë gjërash me ushtrinë serbe.”, ka thënë Hill.