Ministrja serbe do "spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova," thotë se do ta bënte në vend të Millosheviqit - NACIONALE

Ministrja serbe do "spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova," thotë se do ta bënte në vend të Millosheviqit

1 orë më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, u shpreh se do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën" sikur të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit.

Deklarata u dha më 12 korrik, në një intervistë për median serbe "Kurir", dhe shkaktoi reagime të shumta në Kosovë, duke konfirmuar me zë dhe figurë madhërimin e krimeve të luftës dhe politikave të famëkeqit Sllobodan Millosheviq ndaj shqiptarëve.

"Po të isha Sllobodan Millosheviqi, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998, dhe kjo është deklarata më e ashpër që e kam bërë ndonjëherë në jetën time," tha Paunoviq.

Paunoviq është anëtare e SPS-së që nga viti 1992, kur ishte militante aktive e Millosheviqit.

Fushata e spastrimit etnik e nisur nga Millosheviqi ndaj shqiptarëve rezultoi në dëbimin e një milion shqiptarëve dhe vrasjen e mbi 13 mijë të tjerëve.

Gjatë luftës u dhunuan seksualisht mbi 20 mijë gra, ndërsa u shkatërruan mbi 120 mijë ndërtesa dhe shtëpi banimi.

Ministri në Qeverinë e Kosovës, Andin Hoti, reagoi menjëherë përmes një shkrimi publik kundër deklaratës së Paunoviqit.

"Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë," shkroi Hoti.

"Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë," vazhdoi ai.

Hoti theksoi se "Kosova mbeti e lirë," ndërsa Millosheviqi "përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe."

Ai paralajmëroi se i njëjti fat i pret të gjithë ata që sot thërrasin për spastrim etnik ndaj Kosovës.

"Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën," shkroi Hoti.

Sipas tij, kjo dëshmon se "Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit."

Edhe Instituti i Kosovës për Krime të Luftës (IKKL) reagoi, duke lidhur deklaratën me vazhdimësinë e retorikës zyrtare serbe.

Instituti vlerësoi se krimet e viteve 1998–1999 janë vërtetuar tashmë nga gjykata ndërkombëtare, ku udhëheqës të lartë u shpallën fajtorë.

"Edhe sot, zyrtarë të lartë të shtetit serb vazhdojnë të përdorin retorikë që relativizon ose normalizon" ato politika, thuhet në reagim.

IKKL theksoi se vazhdon dokumentimin e krimeve, duke e konsideruar këtë "themel për drejtësi... dhe kërkimfalje institucionale."

Profesori Blerim Latifi ofroi një këndvështrim tjetër, duke fokusuar kritikën nga ana e brendshme e Kosovës.

Sipas tij, deklarata e Paunoviqit nuk është befasi, pasi "shpreh vullnetin e përgjithshëm të shtetit serb."

"Skandali është se ne kemi fillu me harru atë që na ka ndodhë atëherë," shkroi Latifi.

Ai shtoi se po e "përdhosim me gjuhën tonë kujtimin e atyre që dhanë jetën" duke rezistuar spastrimit etnik.

Lajme të ngjashme