Ministrja Rizvanolli shpërndan postimin e ministrit Çeku: Rrnoftë Republika e Kosovës
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka shpërndarë postimin e ministrit të Kulturës, Hajrrulla Çeku, pas zhvillimeve në veri të vendit.
“Rrnoftë Republika e Kosovës”, shkroi më herët Çeku në Tëitter.
Pak më parë, ky postim është shpërndarë edhe nga ministrja Rizvanolli, e cila shkurt ka shkruar, “Rrnoftë”.
Rrnoftë! 🇽🇰 https://t.co/R9ElcznayO
— Artane Rizvanolli (@Artane_R) November 5, 2022
Reagon NATO
Zëvendëssekretari gjeneral i NATO-s, Mircea Geoana, ka biseduar me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, ku serbët vendosën që të largohen nga institucionet e vendit.
Geoana përmes një reagimi në Tëitter, u ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen dhe të parandalojnë eskalimin e situatës.
Po ashtu, ai ka konfirmuar se KFOR-i qëndron në gjendje gatishmërie dhe do të ndërhyjë, nëse rrezikohet situata.
“Bisedova me Përfaqësuesin Special, Mirsolav Lajçak për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Beogradi dhe Prishtina duhet të përmbahen dhe të parandalojnë eskalimin. NATO- KFOR qëndron vigjilent dhe është gati të ndërhyjë nëse rrezikohet situata”, ka thënë ai.
Çka ndodhi sot në veri?
Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij.

