Dyshi i Qeverisë Italiane: Jemi të brengosur për rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë
Zëvendëskryeministri dhe kryediplomati italian, Antonio Tajani ka reaguar pas zhvillimeve në veri të Kosovës, ku serbët vendosën që të largohen nga institucionet e vendit.
Tajani përmes një reagimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se Italia është e brengosur për rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tutje ka deklaruar se kanë kërkuar nga ambasadorët në këto dy shtete, që të bëjnë thirrje për moderim të situatës.
“Jemi të brengosur për tensionet në rritje mes Serbisë dhe Kosovës. U kam kërkuar ambasadorëve tonë në Beograd dhe Prishtinë që të bëjnë thirrje për moderim të situatës dhe për dialog deri sa të ketë një kompromis të duhur. Italia është e angazhduar për stabilitet dhe siguri në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar zëvendëskryeministri italian.
Preoccupano le crescenti tensioni tra Serbia e Kosovo. Ho chiesto ai nostri Ambasciatori a Belgrado e Pristina di rivolgere un appello alla moderazione e al dialogo affinché ci sia un giusto compromesso. L'Italia è impegnata per la stabilità e la sicurezza nei Balcani occidentali
— Antonio Tajani (@Antonio_Tajani) November 5, 2022
Ky njëherit, është reagimi i parë i ndërkombëtarëve në lidhje me zhvillimet e ditës së sotme.
Çka ndodhi sot në veri?
Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij.
