Pa troh ndjenje: Ministria i përmend pagën, shtesat, pensionet ish-pjesëtarit të FSK-së që vdiq duke punuar ndërtimtari - NACIONALE

Pa troh ndjenje: Ministria i përmend pagën, shtesat, pensionet ish-pjesëtarit të FSK-së që vdiq duke punuar ndërtimtari

3 javë më parë

nga NACIONALE

Bashkëluftëtarët e tij ndanë lotë në studio televizive, Ministria e Mbrojtjes ia përmendi pagën, shtesat, pensionin invalidor të UÇK-së dhe atë të TMK-së.

Fjala është për Liman Musliun, ish-pjesëtarin e Njësisë Speciale “Tigrat e Zi” në UÇK, pjesëtar i TMK-së dhe deri ditëve të fundit i FSK-së, që vdiq tragjikisht në një aksident duke punuar ndërtimtari duke rënë nga kati i dhjetë i një ndërtese në Prishtinë.

Krejt këtë bagazh të Musliut – heroizëm e lavdi – Ministria e Mbrojtjes e ktheu në një përkthim monetar se sa i ndjeri i ka kushtuar buxhetit të shtetit.

Kaq e kishte kategorinë, kaq e kishte koeficientit, e merrte këtë shtesë, e merrte këtë penzion e atë pension – kësisoji duke e trajtuar në lokus të hyrash.

Por, jo vetëm kaq – mbajeni frymën – “nuk ishte pjesëtar i uniformuar i FSK-së”, shkroi Ministria e Mbrojtjes.

Me qëllim të sqarimit dhe informimit të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, bëjmë me dije se zyrtari Liman Musliu, me kontratë të FSK-së, ka qenë zyrtar civil, me nivelin A1 (koeficienti 5.2 dhe shtesat tranzitore në pagë për shërbyesit civilë të MM-së). I njëjti ka qenë edhe përfitues i pensionit invalidor të UÇK-së, si dhe pensionit të TMK-së”.

Duke e trajtuar pastaj sërish krejtësisht në lokus burokratik e ligjor, ligji kaq-kaq-kaq.

Në asnjë rresht e germë lavdia e Musliut nuk theksohet e as s’artikulohet keqardhje e empati për të ndjerin në shkrimin të-pa-jetë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Nacionale ka kuptuar edhe se shkrimi i Ministrisë së Mbrojtjes ka tronditur dhe lënduar emocionalisht disa të afërm të të ndjerit Musliu; duke u kuptuar si një trajtim që s’i qëndron lartësisë së dinjitetit të ish-pjesëtarit të lavdishëm të UÇK-së.

Gazetari Lirim Mehmetaj reagoi në një koment te postim i MM-së, duke pyetur se ku u ka mbetur ndjeshmëria.

Shprehni more se paku ndonje ndjenje empatie per pjestarin tuaj, luftetarin e lirise. A jeni ne vete me keso shkrimesh? Paska punu ndertimtari per qejf a? Turp”, shkroi Mehmetaj.

Si vdiq dhe kush ishte Limani?

I pari që e bëri temë në vend dhe që depërtoi në dhembshurinë e publikut, ishte gazetari Arsim Lani i T7, duke njoftuar për rënien tragjike nga kati i dhjetë i një ndërtese në Prishtinë.

Ndoshta kryeministri i Kosovës, ndodhet në diasporë per t’i njoftuar mërgimtarët se sa shumë është ‘zhvilluar’ Kosova në këto katër vjet të qeverisjes së tij e mbase per t’ju treguar se sa të dinjitetshme janë pagat në FSK”, pati shkruar Arsim Lani.

Pasi ka kriju një distancë të madhe me realitetin, tregoni dikush që një ish pjesëtar i Njësisë Speciale të UÇK-së, TMK-së e deri dje pjesë e FSK-së ka vdekur duke rënë nga kati i dhjetë i një objekti në Prishtinë tek po punonte në ndërtimtari pas orarit zyrtar të punës që t ‘arrij ta mbaj familjen e tij. Liman Musliu, lum Kosova që te pati e mjer Kosova që s’bëri asgjë për ty e shokët e tu!”, shkroi ai.

Ky shkrim ngjalli një avalansh reagimesh dhe dënimesh karshi qeverisë kosovare për atë se shumë pjesëtarë të FSK-së, me pagat që kanë, detyrohen të punojnë punë të dyta, e edhe si rojtarë nate nëpër kafeteri.

Forca e Sigurisë së Kosovës e varrosi me nderime ushtarake.

Gjatë ceremonisë së varrimit , folën edhe nga familja Jashari z. Bekim Jashari, Kryetari i Komunës së Skenderajt z. Fadil Nura, komandanti i njësisë Tigrat e Zi, Ferid Berisha nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, të cilën vlerësuan lartë kontributin e Limanit si në luftë po edhe pas luftës në krijimin e institucioneve të sigurisë në vende”, shkroi FSK-ja.

Liman Musliu ishte Ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brigada 111 "Adem Jashari", pjesëtar i Trupave të Mbrojtjes dhe vdekja e ndau në pozitën zyrtar i lartë në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës. I ndjeri pas vetës la një familje të shëndoshë, nënën, bashkëshorten dhe tre fëmijët, dy djem dhe një vajzë, të cilët i rriti dhe i edukoi më frymën e atdhedashurisë, si ishte edhe vet ai!”, përfundonte njoftimi.

Shënim: Vetëm disa minuta pas publikimit të këtij shkrimi Ministria e Mbrojtjes e ka fshirë postimin nga faqja e saj në Facebook.

Lajme të ngjashme