Ministri suedez: Ne e respektojmë marrëveshjen me Turqinë për NATO-n, por feja nuk është pjesë e saj
Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstroem tha se vendi i tij po zbaton marrëveshjen origjinale me Turqinë për anëtarësimin në NATO, por se kompromisi për lirinë e shprehjes nuk përfshihen në marrëveshje. Në samitin e NATO-s vitin e kaluar, Turqia nënshkroi një memorandum duke hequr dorë nga kundërshtimi i saj ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, por pas një sërë protestash në Suedi kundër Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, Ankaraja ndryshoi qëndrimin e saj.
Politikani ekstremist danezo-suedez Rasmus Paludan dogji një Kuran në Stokholm, i cili u kritikua ashpër nga qeveria turke. Billstroem i tha agjencisë së lajmeve TT se "feja nuk është pjesë e marrëveshjes" të nënshkruar me Turqinë. Ai vuri në dukje se e kupton zemërimin turk për incidentet që, megjithëse janë të ligjshme, nuk janë të përshtatshme.
Kreu i diplomacisë suedeze shtoi se është e nevojshme të qetësohen të gjitha palët dhe se bisedimet me Turqinë do të vazhdojnë. Erdogan aktualisht është në fushatë parazgjedhore sepse në mes të majit në Turqi do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
"Pikëpamja jonë për Finlandën është pozitive"
Ai tha më herët sot se Turqia e shikon pozitivisht kërkesën e Finlandës për anëtarësim në NATO, por nuk e mbështet kandidaturën e Suedisë. "Qëndrimi ynë për Finlandën është pozitiv, por për sa i përket Suedisë, nuk është," tha Erdogan për ofertat e të dy vendeve për t'u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Të dy vendet aplikuan për anëtarësim në NATO vitin e kaluar, por Ankaraja e kushtëzon mbështetjen e saj me ekstradimin e "terroristëve", kryesisht kurdë. Ankaraja dëshiron që Helsinki dhe Stokholmi të mbajnë një qëndrim veçanërisht të ashpër kundër anëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilin Turqia dhe BE-ja e konsiderojnë një organizatë terroriste dhe një grup tjetër që fajëson për tentativën e grushtit të shtetit të vitit 2016.
"Suedia nuk duhet të shqetësohet për të marrë pëlqimin tonë në këtë moment. Ne nuk do t'i japim një përgjigje pozitive kërkesës së saj për sa kohë që ata lejojnë djegien e Kuranit," tha Erdogan. Nga 30 anëtarët e NATO-s, vetëm Turqia dhe Hungaria duhet të ratifikojnë anëtarësimin e dy vendeve nordike. /Nacionale/