Ministri i Mbrojtjes: Në takimin e Këshillit të Sigurisë në Serbi, morën pjesë ata që trajnuan sulmuesit e 24 shtatorit
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se në takimin e fundit të Këshillit të Sigurisë së Serbisë, kanë qenë të pranishëm edhe komandantë që kanë trajnuar anëtarë të organizatave terroriste Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut, të cilët më pas morën pjesë në sulmin e 24 shtatorit.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Maqedonci ka përmendur emrat e pjesëmarrësve në këtë takim:
“Në takimin e fundit të Këshillit të Sigurisë së Serbisë, i cili është thirrur me urgjencë nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, përveç anëtarëve të përhershëm, kanë marrë pjesë edhe Nenad Zonic, Komandant i Brigadës 63 të Parashutistëve; Miroslav Talijan, Komandant i Brigadës 72 të Operacioneve Speciale; Tioslav Jankovic, Shef i Drejtorisë së Operacioneve (J-3); Dusko Zarkovic Komandant i Forcave Ajrore; dhe Milosav Simovic, Komandant i Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Serbisë (FAS)”.
Sipas tij, ky takim u thirr pasi kryeministri Albin Kurti publikoi pamje të ushtarëve serbë pranë kufirit me Kosovën, si dhe pas deklaratave të zyrtarit të lartë amerikan, James O’Brien.
Por sipas Maqedoncit, shqetësuese është se në takim, kanë qenë pjesëmarës edhe Komandanti i Brigadës 63 të Parashutistëve dhe Brigadës 72 të Operacioneve Speciale, të cilat sipas tij, kanë trajnuar pjesëmarrësit e sulmit të 24 shtatorit.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka përdorur si pretekst të thirrjes së kësaj mbledhje, sulmin terrorist në Moskë, por ajo çfarë është shqetësuese në përbërjen e këtij Këshilli, është prezenca e Komandantit të Brigadës 63 të Parashutistëve dhe Brigadës 72 të Operacioneve Speciale, formacione ushtarake këto që dyshohet që kanë realizuar përgatitjen dhe trajnimin e qindra anëtarëve të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile/Brigada e Veriut”, e të cilët më pas morën pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, në fshatin Banjskë të Zveçanit.” – ka thënë ai.