Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës: Vendi ynë është de fakto anëtar i NATO-s
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, ka thënë se vendi i tij është bërë de fakto anëtar i NATO_s, pasi shtetet perëndimore, të cilat dikur ishin të shqetësuara se asistenca ushtarake do të mund të shihej si eskalim nga Rusia, e ndryshuan “qasjen e tyre të të menduarit”.
Në një intervistë për televizionin BBC, Reznikovi tha se ai është i sigurt që Ukraina do t’i marrë armët që i ka kërkuar për një kohë të gjatë, përfshirë tanket dhe aeroplanët luftarakë. Edhe Rusia, edhe Ukraina duket se po përgatiten për ofensiva të reja në pranverë.
“Ky shqetësim për nivelin e ardhshëm të eskalimit, për mua, është një lloj protokolli. Ukraina si shtet dhe forcat e armatosura të Ukrainës u bënë anëtare të NATO-s. De fakto, jo de jure [ligjërisht], sepse ne kemi armatim dhe të kuptuarit se si ta përdorim atë”- shtoi ministri ukrainas.
Ukraina për një kohë të gjatë ka kërkuar që të bëhet anëtare e NATO-s, diçka që presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si kërcënim të sigurisë për Rusinë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për anëtarësim të shpejtë në NATO, por është e paqartë nëse anëtarësia e plotë do të shqyrtohet seriozisht nga vendet e aleancës edhe pas përfundimit të luftës, pavarësisht nga zotimet për përkrahje.
Megjithatë, ministri Reznikov mohoi se komentet e tij mund të cilësohen kundërthënëse, jo vetëm nga Rusia, por, ndoshta, nga vetë NATO-ja, pasi aleanca e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, edhe pse e ka përkrahur Ukrainën, ka ndërmarrë hapa për të mos u parë si palë në konflikt.
“Pse kundërthënëse? Është e vërtetë. Është fakt. Unë jam i sigurt se në të ardhmen e afërt, ne do të bëhemi anëtar i NATO-s, de jure”- tha ai.
NATO-ja është aleancë e Shteteve të Bashkuara dhe e 29 shteteve evropiane, e formuar pas Luftës së Dytë Botërore. Në nenin e pestë të traktatit të saj thuhet se “një sulm i armatosur ndaj njërit ose më shumë anëtarëve në Evropë ose në Amerikën Veriore do të konsiderohet sulm kundër të gjithë anëtarëve”.
Ministri ukrainas foli në kryeqytetin Kiev përderisa forcat ruse i vazhduan luftimet për qytezën Soledar, e cila ndodhet në rajonin lindor, Donetsk. Atje janë zhvilluar disa nga betejat më të ashpra që nga fillimi i luftës.

