Ministri i MAPL-së: Kam dyshime që kryetarët e PDK-së në veri mund t'u përgjigjen qytetarëve
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka folur për punën e kryetarëve të katër komunave veriore, ku ka thënë se ka dyshime që kryetarët nga radhët e PDK-së, mund të iu përgjigjen kërkesave të qytetarëve.
Ai ka thënë se puna e kryetarit të Zveçanit dhe Zubin Potokut bëhet nga objektet alternative dhe për këtë gjë ai ka dyshime se mund t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve.
“Janë 34 kryetar në Republikën e Kosovës, dhe agjenda e secilit është individuale dhe nuk mund të flas për ato, po është me e veçantë pjesa e kryetarit në veri të vendit, ne tashmë kemi dy kryetarë të cilët vazhdojnë aktivitetet e tyre ditore nga zyrat e kryetarit dhe dy të tjerë të cilët janë përcaktuar që të punojnë nga zyra alternative, dhe këtu unë kam dyshimet e mija edhe si ministër se ata mund të iu përgjigjën kërkesave të qytetareve.” – ka thënë Krasniqi në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë, të mërkurën.
Tutje, ai ka lavdëruar kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin që po vazhdon të qëndrojë brenda objektit të komunës.
“Për herë të parë kanë një kryetar të cilin është i interesuar të jetë në mbështetje të qytetarëve dhe jo të grupeve kriminale të Listës Serbe, kështu që kryetari në Leposaviq dhe ai në Mitrovicën e Veriut janë vazhdimisht në nivel të detyrës dhe angazhohen që në projekte të ndryshme edhe nëpër mjete ministrisë edhe fondeve vetanke të komunës të implementojnë projekte të ndryshme...” – ka thënë ai.
