Ministri Aliu: Deri në vitin 2030, synohet që 30 për qind e flotës së automjeteve të jenë elektrike dhe hibride
Sot Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjën e Qeverisë, në të cilën është diskutuar që deri në vitin 2030, përafërsisht 30 për qind e flotës së automjeteve në vend të jenë elektrike, në mënyrë që të mos ndotet ambienti.
Mënjëherë pas mbledhjes së Qeverisë, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka mbajtur një konferencë për media ka treguar se ka prezantuar konceptdokumentin për Fushën e Automjeteve dhe Strategjinë e Transportit Multimodal për vitet 2023-2030.
Ai ka thënë se kjo strategji do të ndihmojë që Kosova të arrijë që të zbusë emisionet nga ana e transportit dhe të sigurojë sigurinë në trafik.
“Nga kjo strategji do të dalin projekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me fushën e hekurudhave në veçanti. Kjo strategji do të ndihmojë që Kosova të arrijë që të zbusë emisionet nga ana e transportit dhe të sigurojë sigurinë në trafik. Siguria në trafik, të qenit i kyçur si rrjet dhe ndërlidhja e qartë e transporteve brenda vendit”, ka thënë Aliu në konferencë.
Në anën tjetër, Aliu ka thënë se ky koncept e ofron Kosovën me BE-në dhe ofron ambient të pastër.
“Sipas këtij koncepti, synohet që në importimin e veturave të ardhmen t’u kushtohet rëndësi transportit elektrik në mënyrë që deri në vitin 2030, 30 për qind e flotës së automjeteve në vendin tonë të jenë elektrike dhe hibride. Na afrojnë më afër BE-së dhe na ofrojnë ambient më të pastër e krijojnë përgjegjësi te qytetarët karshi mjedisit”, ka thënë ndër të tjera ai.
