Ministra, deputetë e një shofer: Ku janë sot njerëzit e Kurtit që morën pjesën në protestën e 10 shkurtit? - NACIONALE

Ministra, deputetë e një shofer: Ku janë sot njerëzit e Kurtit që morën pjesën në protestën e 10 shkurtit?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot shënohet 16 vjetori i protestave të 10 shkurtit të vitit 2007, në të cilën Lëvizja Vetëvendosje kishte protestuar kundër Pakos së Ahtisarit dhe negociatave në Vjenë. Sigurisht, shumëçka ka ndryshuar në 16 vite. Sot LVV-ja nuk është më lëvizje që proteston, por parti në pushtet. Edhe njerëzit kryesorë që morën pjesë në protestën ku u vranë Mon Balaj dhe Arben Xheladi, sot janë pushtetarë. Ku janë njerëzit e Albinit?

Njeriu kryesor i LVV-së dhe i protestës atëbotë ishte Albin Kurti, që edhe sot e udhëheq partinë më të madhe në Kosovë. Atëbotë, Kurti ishte një rebel që e kundërshtonte Pakon e Ahtisarit, sot Kurti është kryeministër që e citon dhe e mbron po të njëjtën pako. Krahas Kurtit, në protestë qëndronte edhe Adem Demaçi, i njohur gjërësisht si “Mandela i Ballkanit”. Në përvjetorin e 16, Demaçi nuk është gjallë, pasi ndërroi jetë në vitin 2018.

Por shumica prej njerëzve kryesorë të protestës e të LVV-së në vitin 2007 janë gjallë. Natyrisht, pas Kurtit, njeriu kryesorë sot është Glauk Konjufca, që në vitin 2007 ishte vetëm një aktivist pak i njohur. 16 vite më vonë, Konjufca është një politikan i popullarizuar dhe aktualisht është kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Dy të tjerë janë ministra në Qeverinë e Kosovës. Liburn Aliu dhe Xhelal Sveçla, aktivistë të moçëm të LVV-së, sot janë në ekzkekutiv, teksa udhëheqin me Ministrinë e Infrastrukturës dhe atë të Brendshme respektivisht.

Një nga njerëzit e panjohur të vitit 2007, sot është pjesë e Kuvendit të Kosovës. Nijazi Isaku, që ishte aktiv në protestën e 2007 si aktivist i thjesht, sot është deputet i LVV-së nga Vitia. Por i njëjti, siç shkruante Nacionale, nuk ishte lejuar të kandidonte për kryetar të Qendrës së VV-së në Viti për shkak të qëndrimeve të tij për projekt-kodin civil.

Ndërsa fotografi i VV-së në protestën e 10 shkurtit 2007, Arbër Vokrri, sot është zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Ndërsa një njeri tjetër, që i shpëtoi për pak vdekjes, sot është shofer i ministrit Armend Mehaj, i cili atëbotë ishte vetëm një ushtarak në ushtrinë e Norvegjisë.Zenel Zeneli, njeriu që ishte plagosur në protestën e 10 shkurtit, sot është pjesë e kabinetit të ministrit Mehaj si shofer personal i tij.

Sot Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar shumë aktivitete në nderim të protestes së 10 shkurtit të vitit 2007. Në një deklaratë, z. Konjufca i ka quajtur dëshmorë dy të rënët në këtë protestë, që është ndoshta më masovikja në Kosovën e pasluftës.

“Sot është 16-vjetori i vrasjes së aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, nga policia rumune e UNMIK-ut. Arbeni e Moni ranë dëshmorë në mbrojtje të vlerave të lirisë, barazisë, demokracisë dhe për vetëvendosjen e Republikës. Vitet nuk e zbusin dhimbjen për këta pishtarë të guximit, idealizmit të virtytshëm dhe aktivizmit qytetar të pathyeshëm. As zemërimin e pafund për drejtësinë e munguar ndaj atyre që kryen aktin mizor dhe u arratisën nga vendi i krimit", shkroi Konjufca në profilin e tij në “Facebook”.

Lajme të ngjashme