Militanti i Vetëvendosjes që kërkoi falje për përfshirjen e AKI-së në lajm të rremë vazhdon pozitën e U.D. drejtorit të TV-së në RTK
Militanti i partisë në pushtet, Rilind Gërvalla do të vazhdoj ta ushtroj detyrën e Drejtorit të Televizionit Publik. Kjo pasi u propozua nga U.D. Drejtorja e RTK-së, Zana Spahiu dhe u aprovua nga bordi. AGK, LËVIZJA FOL, IKD dhe aktivistja Flutura Kusari, kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët për emërimin U.D. Drejtor i televizionit nga bordi i RTK-së, Rilind Gërvallën. Sipas këtyre organizatave, ish-aktivisti i Vetëvendosjes dhe financuesi i kësaj partie, e përdori RTK-në për lajme të rreme, duke sulmuar mediat private, përdori RTK-në për të zgjatuar propagandën qeveritare dhe tëë partisë Vetëvendosje si dhe përdori autoritetin e tij për të larguar emisione e gazetarë nga ekrani.
“Zoti Gërvalla, një ish-aktivist dhe financues i partisë politike Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti nuk garanton këto parime dhe standarde të nevojshme për RTK-në.
Përkundrazi, gjatë mandatit të tij, Transmetuesi Publik është përdorur për të sulmuar mediat private në Kosovë. Për këto veprime asnjëherë në RTK nuk janë inicuar procedura për të mbajtur personat përgjegjës dhe llogaridhënës për lajmin e rrejshëm kundër dy portaleve, të marrë nga një media e quajtur “Slobodna Bosna”, dhe e transmetuar në Lajmet Qendrore në RTK.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Qysh e implikoi AKI-në Rilind Gërvalla në sulmin ndaj Nacionales?
Gërvalla e kishte pranuar gabimin e tij për përfshirjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) për lajmin kundër Nacionales. Reagimi i Gërvallës vjen pas publikimit edhe të audio-incizimit ku fjalpërfjalë dëgjohet duke përmendur AKI-në në lajimin e Slobodna Bosna kundër Nacionales dhe Periskopit.
Drejtori i TV në RTK i dërguar nga Vetëvendosje, Rilind Gërvalla, kishte pranuar se e ka përdorur rrejshëm AKI-në në lajmin ku sulmoheshin ashpër Nacionale e Periskopi, për gjoja media të blera nga shteti serb.
“Po e përsëris, AKI nuk ma ka përgatitë e as derguar lajmin, sepse ai ka qenë i botuar në një medium tjetër dhe nëpër mediume tjera që nga mëngjesi, pra ka qene lajm publik. Unë krenohem për bashkëpunimin me organet e sigurisë dhe intelegjences dhe këtë e kam bërë që nga fillet e mia në RTK-së dhe do ta vazhdoj kontributin tim!” – ka shkruar fillimisht ai.
Më tej, ai ishte kapur në publikimin e audio-incizimit ku dëgjohet qartë duke përfshirë AKI-në në rastin e shkrimit kundër Nacionales.
“Presioni publik më ka detyruar që ta arsyetoj gabimin që e kam bërë duke përmendur AKI-në dhe kam kërkuar dhe ripërsëris kërkimfaljen. Njerëz jemi dhe gabojmë, e si te mos gabohet kur thirresh nga nje pjese e Bordit, mbi kater here brenda pak oresh, si para Prokurorise, per nje ceshtje qe baze ka patur parimin e citimit, e tani e gjitha po del se ai presion mbi mua paska qene qe te regjistrohet pa autorizim nje deklarate e imja nen presion.” – ka shkruar në Facebook.
Ai ka tentuar të arsyetohet por në asnjë rast nuk ka shprehur vullnet për të dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorti të TV-së në RTK, pasi dëmit të shkaktuar ndaj Nacionale.
Tutje, Gërvalla ka dhënë edhe disa këshilla teksa ka shprehur edhe ca emocione të patriotizmit.
“E kuptoj parafushaten e hershme, por mbi fushatat dhe partitë është ruajtja e vendit nga sulmet hibride qe ka bere dhe po i ben Serbia e Vucicit. Uroj qe po si une ne rastet e mehershme qe i kam permendur ne pergjimin e paautorizuar, njejte edhe mediumet tjera do te bashkepunojne me organet e intelegjences, asnjehere per vete, gjithmone per te miren e atdheut.” – ka shkruar ai.
Gazeta “Paparaci” kishte publikuar edhe audio-incizimin ku dëgjohej Gërvalla duke përfshirë AKI-në në rastin e shkrimit të RTK-së kundër Nacionales.
“Në momentin kur ty të vjen (teksti i Slobodna Bosna-s) prej një agjencsioni shtetëror (AKI)...e kemi pranuar si të bazuar”, thotë Rilind Gërvalla.
Gërvalla e përfshin drejtëpërsëdrejti AKI-në në dërgimin e këtij lajmi për botim në RTK, ku pa as edhe një referencë të vetme, fakt, dëshmi – hiç kurrgjë – mediumi “Slobodna Bosna” mbi bazën e një “bashkëbiseduesi nga Kosova” shkruante se Nacionale dhe Periskopi janë në shërbim të Serbisë.
“Neve na u ka dukë se është lajm se duhet të pasqyrohet dhe në momentit kur ty të vjen prej një agjensioni shtetëror [AKI-së, v.j] që kanë organe verifikimi dhe analizash për këto çështje”, ka thënë Gërvalla.
“Normalisht që ne e kemi pranu si të bazuar në fakte edhe natyrisht një ndër fjalitë e diskutimit që e kemi pas me personin që është caktu përgjegjës për mediat dhe për takimet me to (...)”
“(...) ai ishte në një seminar, po supozoj se që atje në vendin ku është bërë lajmi, edhe tha po diskutohet shumë këtu [në Bosnjë e Hercegovinë, v.j] edhe natyrisht ka dalë kjo në portale këtu edhe normalisht që është mirë që të publikohet”, thotë Gërvalla.
Ndryshe, Nacionale e ka paditur RTK-në për lajmin e rremë dhe tashmë për këtë çështje ka filluar procesi gjyqësor.