Mijëra njerëz duan ta adoptojnë foshnjën e lindur nën rrënojat e tërmetit në Siri
Mijëra njerëz janë ofruar të adoptojnë vajzën e cila lindi nën rrënojat e një ndërtese të shembur në veriperëndim të Sirisë, pas tërmetit të së hënës.
Kur foshnja u shpëtua, ajo ishte ende e lidhur me nënën e saj përmes kordonit të kërthizës, por pas shpëtimit të saj është bërë e ditur se nëna, babi dhe katër vëllëzërit dhe motrat nuk kanë mundur të shpëtojnë.
Foshnja që është emëruar si Aya – në arabisht, mrekulli – ndodhet në spital dhe është në gjendje stabile.
E ndërsa videot e shpëtimit të saj janë bërë virale, mijëra njerëz në rrjetet sociale kanë kërkuar detaje për ta adoptuar atë.
“Do të doja ta birësoja dhe t'i jepja një jetë të denjë,”- ka shkruar një person.
Ndërsa, një prezantuese televizive kuvajtiane ka thënë: "Unë jam gati të kujdesem dhe të birësoj këtë fëmijë... nëse procedurat ligjore më lejojnë."
Ndërkohë, menaxheri i spitalit ku ndodhet foshnja, Khalid Attiah, ka treguar se ka marrë dhjetëra telefonata nga njerëz në mbarë botën që duan të birësojnë Aya-n.
Sa i përket qytetit të lindjes së Aya-s, Jidayris njerëzit janë duke vazhduar kërkimet në rrënoja për të dashurit e tyre.
Një gazetar nga kjo zonë ka folur për BBC-në, ku ka treguar se situata është “katastrofike”.
Sipas tij, 90% e qytetit është shkatërruar dhe shumica e ndihmës deri më tani kishte ardhur nga banorët vendas.

