Mijëra familje pa rrymë, rrugë të lëna pas dore: Gjini kritikon gjendjen e infrastrukturës dhe furnizimin me energji në Kosovë
Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, ka reaguar përmes një videoje të publikuar në Facebook lidhur me gjendjen e infrastrukturës rrugore dhe furnizimin me energji elektrike në vend.
Gjini ka theksuar se mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike gjatë ditës, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen e rrugës Gjakovë–Dollc, për të cilën tha se prej vitesh nuk ka pasur investime të mjaftueshme.
“Mijëra familje pa rrymë në mes të ditës. Pak minuta më parë kalova në rrugën Gjakovë–Dollc, e cila prej vitesh është lënë pas dore. Ky është realiteti me të cilin përballen qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ai.
Në mesazhin e tij, Gjini ka shprehur gjithashtu bindjen se pas zgjedhjeve të 7 qershorit vendi mund të hyjë në një fazë të re zhvillimi.
“Ju uroj një fundjavë të mbarë, me shpresën se pas 7 qershorit do të hapim një kapitull të ri për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Gjini.