Mickoski kërcënon me shkarkime: “Jo më shqipja në adresime për gazetarë” - NACIONALE

Mickoski kërcënon me shkarkime: “Jo më shqipja në adresime për gazetarë”

6 ditë më parë

nga Col Mehmeti

Fati i drejtorit të Inspektoriatit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, Arsim Idrizi, varet nga përdorimi ose jo i shqipes në paraqitjet e tij për media. Kështu së paku është paralajmëruar nga numri një i qeverisë, Hristijan Mickoski. E gjithë kjo situatë është krijuar nga zëvendëskryeministri serb Ivan Stoilkoviq, i njohur për qëndrimet e tij radikale, i cili të hënën kërkoi shkarkimin e zyrtarit shqiptar. Partnerët shqiptarë të Mickoskit, nga koalicioni VLEN, e kanë quajtur “deklaratë të përshpejtuar”. Sipas Bilall Kasamit, keqkuptimet do të tejkalohen.


10 qershor 2025 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ia ka mbledhur ‘betë’ drejtorit të Inspektoriatit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi.

Një adresim i këtij të fundit vetëm në gjuhën shqipe dhe jo dhe në atë maqedonase, është ngritur si problem deri në nivelet më të larta të qeverisë.

Sipas Mickoskit, përsëritja e një adresimi në shqip do t’i kushtojë zyrtarit shqiptar me shkarkim nga pozita.

“Nëse mendoni konkretisht për momentin kur ai në Kuvend nuk ka folur në maqedonisht, unë bisedova me të dhe pres që të mos përsëritet, por nëse përsëritet, ai do të shkarkohet”, ka thënë Mickoski për gazetarët e mbledhur në hollin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Gjithçka filloi ditën e hënë kur zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndërkomunitare, Ivan Stoilkoviq, paralajmëroi shkarkimin e Arsim Idrizit.

Në një paraqitje në televizionin Kanal5, Stoilkoviq – i cili është kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni – paralajmëroi se drejtori i Inspektoriatit për Përdorimin e Gjuhëve “do të shkarkohet 99% me siguri.”

“Unë do të ngre nismë që ai menjëherë të ndërrohet dhe e kam të drejtën për një gjë të tillë”, tha Stoilkoviq në emisionin “Na kavga so Ivan”.

“Deklaratë e përshpejtuar” e kanë quajtur nga koalicioni VLEN paralajmërimin e bërë për shkarkimin e Idrizit.

Në emër të këtij koalicioni, Bilall Kasami ka thënë e propozimet për shkarkime bëhen nga ato parti që i propozojnë emërimet.

“Shkarkimet e funksionarëve bëhen me propozimin e partive që i emërojnë ata, kjo është marrëveshje e koalicionit”, ka thënë Kasami para mediave.

Teksa e ka quajtur si deklaratë të përshpejtuar, ai ka thënë se procesi i bashkëqeverisjes funksionon në bazë të një marrëveshje mes partnerëve.

“Kur bëhet fjalë për emërimet dhe shkarkimet e funksionarëve të partive, gjithmonë ka kështu keqkuptime mes partnerëve, por besoj që ato do të tejkalohen”, ka shtuar Kasami.

Javën e kaluar, Idrizi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve vetëm në shqip, duke iu thënë mediave maqedonase se “ata do t’i përkthejnë më vonë.”

Ndërkohë, partia kryesore shqiptare në opozitë, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka vlerësuar se qeveria po vazhdon me largim të organizuar e sistematik të gjuhës shqipe nga sistemi shtetëror.

Nëpërmjet një reagimi për medie, kjo parti ka shprehur shqetësimin ndaj zhvillimeve të fundit, ku, sipas saj, Qeveria përmes një sërë hapash institucionalë “po e largon në mënyrë sistematike gjuhën shqipe nga sfera publike.”

“Gjykata Kushtetuese është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Paralelisht, Inspektorati për zbatimin e ligjit është faktikisht i bllokuar, i është marrë autonomia, inspektorët nuk marrin pagë tash e gjashtë muaj dhe nuk kanë kushte bazë për punë, përfshirë edhe qasjen në automjetet zyrtare. Vetë drejtori, i emëruar nga Qeveria, publikisht pranoi se automjetet përdoren për nevojat e tij personale, ndërsa institucioni nuk funksionon”, është thënë në reagim.

Sipas BDI-së, skandalin në Inspektoriatin e Gjuhëve e thellon edhe më shumë paralajmërimi i Stoilkoviqit për shkarkimin e Idrizit, i cili nuk është për mosfunksionim, por për t’ia treguar vendin këtij institucioni.

“Kjo deklaratë është shfaqje e drejtpërdrejtë e presionit institucional dhe e poshtërimit ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.”

Me këtë rast, BDI iu ka bërë thirrje faktorëve shoqërorë shqiptarë, përfshirë edhe VLEN-it, që të marrin përgjegjësi ndaj votuesve shqiptarë dhe të kundërshtojnë qartë këto kërcënime sistematike ndaj gjuhës shqipe.

“Gjuha shqipe nuk është privilegj politik, ajo është kategori kushtetuese dhe pjesë e themeleve të Marrëveshjes së Ohrit”, është thënë në reagim. /Nacionale/

Lajme të ngjashme