“Metodë e mirë me i mirëmbajtë emocionet e njerëzve”, Specialja në të njejtën ditë që liroi Haradinajn, e la në burg për 22 vjet Calin
Lirimi nga burgu i Nasim Haradinajt këtë të enjte ishtë lajm i mirë për shumë kë. Madje ai u prit në odë me këngë e valle. Haradinajt dukej se i kishte munguar oda e njerëzit e tij. Këndoi bashkë me ta.
Edhe reagimet në rrjetet sociale e në opinion u drejtuan kah ky lirim. Por në të njejtën ditë Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara, vendosi ta lë në burg Salih Mustafën, për hiç më pak se 22 vjet.
Nga shumë kush, u pa e qëllimshme përzgjedhja e ditës së njejtë për të publikuar të dy këto vendime.
Analisti e Gazetari Ilir Mirena është njëri nga ta që po e sheh të qëllimshme zgjedhjen e një dite të vetme për të publikuar vendimin për lirimin e Haradinajt e mbetjen në burg për 22 vjet të “Calit”.
“Calin e denojne 22 vjet burg, Nasimin e lirojne. Metode e mire me i mirembajte emocionet e njerezve…” – ka shkruar ai.
Edhe Azdren Shala i PSD-së, ka komentuar vendimet që u publikuan sot nga Gjykata Speciale, ku u lirua Nasim Haradinaj, e u la në burg për 22 vjet Salih Mustafa.
Sipas Shalës, kjo është strategjia e kësaj Gjykate, që në të njejtën kohë me njërën dorë të “godas”, e me tjetrën “të lëmojë”.
“Krejt keto makinacione te percudnume duke filluar nga vizitat e zyrtareve te GjS e deri te veprimi i sotshem ku me nje dore te godasin shume dhe me tjetren te lemojne, e kane vec nje qellim: Gjykata Speciale me u duk sikur eshte e njemend. Pra me u fsheh qellimi - baltosja e UCK-se - nen petkun e nje trupe gjykuese qe gjoja ndjek proces dhe shqyrton fakte.” – ka shkruar ndër të tjera Shala.
Apeli e lë 22 vjet në burg “Calin”
Gjykata e Apelit në Hagë e ka dënuar Salih Mustafën me 22 vjet burg. Pra i ka ulur 4 vjet nga dënimi i shkallës së parë.
Të gjitha ankesat e Salih Mustafës janë refuzuar, përveç faktit se trupi gjykues, sipas Apelit, ka tejkaluar kompetencat në lartësinë e dënimit.
Kjo duke mos marrë parasysh dënimet në Kosovë që kanë qenë për krime lufte. Andaj, bazuar në këtë, Apeli i ka ulur 4 vjet.
Në shkallën e parë, Mustafa ishtë dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Cali u dënua me 26 vjet dënim unik.
“Paneli i Apelit konstaton se analiza e trupit gjykues për legjislacionin shtetëror është e pamjaftueshme. Për këtë qëllim dhe lidhur me argumentin se dënimi është i lartë, Apeli ka analizuar jurisprudencën e ligjit të Kosovës, dhe dënimet atje. Dënimet nuk mund të zhvendosen lehtë nga një çështje në tjetrën. Paneli i Apelit konstaton se në rastet e Tribunalit të Hagës dhe gjykatat e Kosovës për krime lufte të krahasuar me rastin e Mustafës, dënimet e dhëna ishin më të shkurtra, ndonëse plotësisht i vetëdijshëm për diskrecionin, paneli konstaton se mospërputhja midis dënimit të z.Mustafa dhe dënimeve që analizoi paneli, tregon se trupi gjykues i tejkaloi kufinjtë e diskrecionit në këtë rast. Paneli i Apelit gjykon se duke dhënë z.Mustafa dënim jashtë proporcionit të arsyeshëm kohor me një varg dënimesh të ngjashme trupi gjykues ka kryer gabim të dallueshëm. Paneli i Apelit rrjedhimisht e gjykon të përshtatshme që dënimet individuale t’i ulë në dënime si vijon:
"8 vjet burg për pikën 1 për ndalim arbitrar. 20 vjet për burgim për pikën 3 për torturë dhe së treti 22 për pikën 4 të aktakuzës për vrasjen e paligjshme. Në përputhje me këtë Paneli duhet të përcaktojë në bazë të rregullës 163 duhet të pasqyrojë një dënim të njëhësuar. Në lidhje me këtë paneli gjykon se një dënim i njehsuar me 22 vjet burgim duke llogarit kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të Mustafës”, tha gjyqtarja Pichard.
Lirohet Haradinaj
Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL të UÇK-së, është liruar nga burgu në Gjykatën Speciale. Në një njoftim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, theksohet se me vendimin e kryetares së kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova, është modifikuar dënimi për Haradinajn.
“Më 12 dhjetor 2023, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e z. Nasim Haradinaj për lirimin e tij më 14 dhjetor 2023, ose rreth kësaj date, sipas kushteve të përcaktuara në vendim. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj.” – shkruhet në vendim.
Në vendim përmendet edhe raporti i dorëzuar mbi sjelljet e Haradinajt në objektin e paraburgimit.
“Për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe seancën që mbajti me z. Haradinaj. Gjithashtu, sikurse u përcaktua në vendimin e saj të mëparshëm të 12 tetorit 2023 lidhur me uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimit të z. Haradinaj, Kryetarja mori parasysh edhe raportin e dorëzuar nga Administratorja në lidhje me sjelljen e z. Haradinaj në objektin e paraburgimit.” – vazhdon tutje njoftimi.
Tutje, në vendimin e lëshuar pak më parë, përmendet se veprat penale për të cilat u dënua Haradinaj ishin “padyshim të rënda”.
“Kryetarja mori parasysh se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij.” – shkruhet në vendim.
“Konkretisht, Kryetarja konstatoi se z. Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit. Gjithashtu, Kryetarja mori parasysh pendesën e z. Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij. Kryetarja theksoi se në qoftë se z. Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet.” – shkruhet aty.