Mesazhet e Halil Thaçit në Kuvend: Nacionale fiton betejën e parë ligjore kundër Luigj Imerit - NACIONALE

Mesazhet e Halil Thaçit në Kuvend: Nacionale fiton betejën e parë ligjore kundër Luigj Imerit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Muaj më parë, gazeta Nacionale kishte publikuar një tekst/video me disa mesazhe të cilat ishin zënë teksa i shkruante deputeti i VV-së, Halil Thaçi.

Në këto biseda, Halil Thaçi e implikonte ish-kryeshefin e KEK-ut, Luigj Imerin, si shkaktar për arrestimin e Nagip Krasniqit.

Këto biseda ishin zënë në Kuvendin e Kosovës, raporton Nacionale.

Në njërën prej komunikimeve, shihet një bisedë më e vjetër e deputetit të VV-së, Halil Thaçi, me ministren Artane Rizvanolli. Aty, Thaçi i akuzon Luigj Imerin, që është i afërt me VV-në, dhe Skënder Bucollin, se janë të përfshirë në arrestimin e Nagip Krasniqit.

“E vërtet, aman mos i qitni ata qe e qun Nagipin në burg si Luigji e Skender Bucolli, se kam friken veq kan me ja rëndu ma shumë”, thuhet në këtë mesazh.

Për këto deklarata, Luigj Imeri, çuditërisht, kishte vendosur ta padisë për shpifje Nacionalen. Kjo pavarësisht se artikulli nuk përmbante komente e as shpikje, por fjalë të deputetit Thaçi, person publik.

Luigj Imeri gjithashtu e kishte pasur mundësinë edhe të deklarohet, pasi ishte kontaktuar nga Nacionale.

Imeri e kishte paditur Nacionalen për shpifje, bashkë me deputetin Thaçi. Megjithatë, betejën e parë e ka fituar Nacionale.

Gjykata Themelore në Prishtinë, e më pas edhe Gjykata e Apelit, kanë refuzuar kërkesën e Luigj Imerit për masë të sigurisë. Pra, ia ka rrëzuar kërkesën në tërësi që të fshihet lajmi nga gazeta Nacionale.

Apeli ka gjetur se Luigj Imeri nuk ka ofruar fakte të mjaftueshme lidhur me vendosjen e kësaj mase të sigurisë. Si rezultat, Nacionale nuk do të obligohet ta fshijë lajmin.

Si rezultat, Apeli e ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë.

“Në rastin konkret Gjykata e Apelit e pranon përfundimin e gjykatës së shkallës së parë për mos-caktimin e masës së sigurimit, për shkak se ka arsyetuar në masë të mjaftueshme përfundimin e saj për refuzimin e caktimit të masës së sigurimit. Në rastin konkret sipas kërkesës së propozuesit është detyrimi i kundërshtarëve të sigurimit në demantimin e lajmit të publikuar, kërkim falja si dhe kërkesa për fshirje të lajmit, janë kërkesa për të cilat vendoset sipas asaj se çka rezulton në fund të procedimit të çështjes kryesore pas vërtetimit të gjendjes faktike dhe aplikimit të dispozitave ligjore për çështjen konkrete”, thuhet në vendim.

“Gjykata e Apelit vlerëson se në kontestin e rrethanave të paraqitura në këtë çështje juridike kontestuese e që I referohen pretendimeve të propozuesit të sigurimit lidhur me rrezikun e mundshëm që propozuesit t’i pamundësohet realizimi i së drejtës për vërtetimin e faktit, pa e prejudikuar përfundimin meritor të çështjes, në këtë faze konsiderohet i drejtë qëndrimi juridik i shkallës së parë se caktimi i masës së sigurimit në këtë faze të procedurës nuk është i arsyeshëm dhe i bazuar”, thuhet më tutje.

Çka kishte raportuar Nacionale?

Në njërën prej komunikimeve, shihet një bisedë më e vjetër e deputetit të VV-së, Halil Thaçi, me ministren Artane Rizvanolli. Aty, Thaçi i akuzon Luigj Imerin, që është i afërt me VV-në, dhe Skënder Bucollin, se janë të përfshirë në arrestimin e Nagip Krasniqit.

“E vërtet, aman mos i qitni ata qe e qun Nagipin në burg si Luigji e Skender Bucolli, se kam friken veq kan me ja rëndu ma shumë”, thuhet në këtë mesazh.

Deputeti Thaçi pasi e kontaktoi Nacionale e ka pranuar që e ka thënë këtë mesazh, edhe pse ai Nacionalen e ka kërcënuar me padi.

Nacionale e ka kontaktuar edhe Luigj Imerin për këtë çështje, megjithatë ai nuk kishte pranuar të komentojë as para publikimit të artikullit, e as pas publikimit.

Lajme të ngjashme