Mes konsumit në rritje dhe prodhimit të kufizuar, Qeveria Kurti injoron thirrjen amerikane për lidhje me rrjetin e gazit
Kosova e mbylli vitin 2025 me hov të madh të kërkesës për energji, ndërkohë që kapacitetet tona prodhuese kanë mbetur në vend, të pafuqishme për të ndjekur ritmin.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, konsumi final i energjisë ka shpërthyer në 1,675.8 ktoe (kiloton naftë ekuivalente) – kërcim prej 13.4% brenda vetëm një viti. Ky trend po e thellon hendekun tashmë alarmant midis asaj që na nevojitet dhe asaj që prodhojmë, duke e lënë Kosovën gjithnjë e më shumë në mëshirë të tregjeve të huaja.
Bilanci Vjetor i Energjisë 2025
Kosova konsumoi më shumë energji në 2025
Tabela paraqet të dhënat preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për burimet primare në dispozicion, konsumin final sipas sektorëve dhe strukturën e konsumit në industri.
Burimet primare energjetike në dispozicion
2024–2025, ktoe| Burimi i energjisë | 2024 | 2025 | Ndryshimi |
|---|---|---|---|
| Energjia nga thëngjilli | 1.509,8 | −162,8 | |
| Produkte nafte | 936,4 | +29,0 | |
| Biomasë | 159,3 | +43,7 | |
| Hidroenergji | 18,3 | +2,7 | |
| Energji solare | 0,0 | +1,5 | |
| Energjia e erës | 29,7 | −0,1 | |
| Energji elektrike | 46,2 | +92,4 | |
| Totali | 2.699,7 | 2.706,1 | +6,4 |
Konsumi final i energjisë sipas sektorëve ekonomikë
2024–2025, ktoe| Sektori ekonomik | 2024 | 2025 | Ndryshimi |
|---|---|---|---|
| Sektori i industrisë | 312,2 | +31,8 | |
| Sektori i amvisërisë | 430,1 | +93,9 | |
| Sektori i shërbimeve | 173,3 | +18,1 | |
| Sektori i bujqësisë | 26,8 | +13,4 | |
| Sektori i transportit | 534,8 | +41,5 | |
| Totali | 1.477,2 | 1.675,8 | +198,6 |
Konsumi i energjisë në sektorin e industrisë
2025, pjesëmarrja në %Shënim: Kolona “Ndryshimi” është llogaritur nga vlerat 2024 dhe 2025 të raportuara nga ASK. Të dhënat për vitin 2025 janë preliminare.
Rritja e konsumit është nxitur kryesisht nga sektori i amvisërisë, i cili shënoi shtesën absolute më të madhe, 93.9 ktoe, ose rreth 47 për qind të rritjes totale të konsumit final.
Sektori i transportit renditet i dyti me +41.5 ktoe (rreth 21 për qind të rritjes), ndërsa sektori industrial, megjithëse me rritje të ndjeshme prej 10.17 për qind krahasuar me vitin 2024, kontribuoi me +31.8 ktoe, ose rreth 16 për qind të rritjes totale.
Profili energjetik i industrisë mbetet i brishtë: plot 62 për qind e konsumit mbështetet në produkte të naftës, ndërsa energjia elektrike përbën 25 për qind, thëngjilli 9 për qind dhe biomasa vetëm 4 për qind.
Kërkesa në rritje po reflektohet drejtpërdrejt edhe në faturën e importit. Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se prodhimi vendor nuk po arrin ta ndjekë ritmin e konsumit. Gjatë katër viteve të fundit, vendi ka shpenzuar rreth 735 milionë euro vetëm për importin e energjisë elektrike.
Vetëm gjatë vitit 2025, shpenzimet për import u rritën ndjeshëm, nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro. Në një treg ndërkombëtar ku çmimet e energjisë mbeten të paqëndrueshme, kjo e ekspozon Kosovën edhe më shumë ndaj zhvillimeve në bursat ndërkombëtare dhe e thellon varësinë nga furnizuesit rajonalë.
Pikërisht në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara kanë ripërsëritur thirrjen që Kosova të përfshihet në projektet rajonale të gazit natyror. Në një opinion të botuar së fundi, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, e cilësoi lidhjen me rrjetin e Gazit të Lëngëzuar Natyror (GNL) si një hap të domosdoshëm për forcimin e sigurisë energjetike të vendit.
Sipas saj, energjia nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe element i sigurisë kombëtare. Diversifikimi i burimeve përmes gazit natyror, thekson Prattipati, do t'i japë Kosovës një bazë më të qëndrueshme për të ardhmen.
"Kosova duhet të lëvizë shpejt për ta ndjekur këtë partneritet, sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të marrë kohë."
Prattipati vlerëson se eksportet amerikane të GNL-së pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe se ato do të shpërndahen përmes projekteve rajonale, si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci.
"Eksportet amerikane të gazit natyror të lëngshëm (GNL) pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të kalojnë përmes projekteve rajonale, si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Kosova mund të lidhet gjithashtu me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e LNG-së në Aleksandrupoli të Greqisë me Shkupin, në Maqedoninë e Veriut."
Sipas saj, ky opsion do ta shkurtonte kohën e realizimit dhe do t'i ulte kostot e investimit, ndërsa Qeveria amerikane disponon mekanizma financiarë për të mbështetur ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme.
Megjithatë, mesazhi kryesor i saj është se koha për të marrë këtë vendim po shteron.
"Dritarja për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet."
"Vonesa në këtë vendim rrezikon që furnizimet amerikane me GNL të zotohen diku tjetër dhe mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm të Ballkanit Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikane."
Në përfundim, Prattipati e paraqet këtë si një vendim me peshë strategjike, duke e lidhur edhe me synimin e administratës Trump për të zvogëluar varësinë e Evropës nga energjia ruse.
"Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’i bashkohet një partneriteti afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së, për ta siguruar të ardhmen e saj energjetike."