“Meritë e popullit”: A i kritikoi Osmani Qeverinë Kurti e VV-në për lëvdatat rreth liberalizimit të vizave? - NACIONALE

“Meritë e popullit”: A i kritikoi Osmani Qeverinë Kurti e VV-në për lëvdatat rreth liberalizimit të vizave?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë tërë ditës, politikanë, zyrtarë institucionalë e analistë kanë shkruar e folur rreth vendimit të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave. Sigurisht, liderët e institucioneve, si Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, Vjosa Osmani, presidente e të tjerë uruan për këtë ditë të shënuar, që u prit gjatë nga qytetarët e Kosovës. Sigurisht, nuk munguan as tendencat për lëvdata e kritikat ndaj BE-së për vonesat e padrejtësitë për qytetarët e Kosovës.

Në fakt, në urimin e Qeverisë së Kosovës dhe presidentes Osmani mund të shihen dy qasje të ndryshme, përfshirë po ashtu një diskurs të ndryshëm në lidhje me liberalizimin e vizave. Përderisa, Qeveria e Kosovës e VV-ja, partia që udhëhiqet nga kryeministri Kurti, tentuan të përfitojnë nga situate, duke e bërë veten meritor, Osmani ishte, në mënyrë gati jotipike, më objektive.

Nuancat e deklaratave...

Në një njoftim për media, u vërejt qartazi tendenca e Qeverisë Kurti për të marrë merita për liberalizimin e vizave. Madje, aty ishte edhe togfjalëshi “falë punës” së Qeverisë, duke tentuar të përfitojnë merita nga liberalizimi i vizave.

“Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante.” – thuhej në njoftim.

Në linjë të njëjtë ishte edhe Lëvizja Vetëvendosje, parti e cila udhëhiqet nga kryeministri Kurti që nga themelimi, përjashtimisht 3 vite kur Visa Imeri ishte kryetar i VV-së. Edhe në tekstin e VV-së, që u postua në Facebook, theksohej puna dhe angazhimi i qeverisjes së re, e cila sipas tyre e ka zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave.

“Është puna dhe angazhimi i qeverisjes së re në vend që ka zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave dhe ka bindur vendet anëtare të BE-së ta caktojnë datën 1 janar 2024, si datën e fundit prej të cilës qytetarët tanë do të lëvizin pa regjimin e vizave. Kosova në dy vitet e fundit përmes miratimit të mbi 100 ligjeve kreu reformën më të lartë ndonjëherë në kuadër të integrimit evropian.” – shkruan VV-ja.

Pas këtyre dy shkrimeve, shkroi edhe presidentja Osmani, e cila foli për meritat e popullit të Kosovës për liberalizimin e vizave. Madje, në postimin e saj, zonja Osmani e kritikoi edhe Bashkimin Evropian për vonesat e padrejtësitë e ndryshme.

“Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme.” – shkroi zonja Osmani.

Është interesante që në profilin e tij, Kurti shkroi më ndryshe se në njoftimin e Qeverisë së tij e VV-së. Madje, Kurti u tregua goxha parimor, duke thënë se liberalizimi i vizave është meritë e qytetarëve.

“Liberalizimi i vizave ndodhi sot. Nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën shengen. Kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë. Andaj urime të gjithëve, sepse është për të gjithë.” – shkroi Kurti.

Lajme të ngjashme