Fillon gara e meritave për liberalizimin e vizave mes pozitës dhe opozitës - NACIONALE

Fillon gara e meritave për liberalizimin e vizave mes pozitës dhe opozitës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Menjëherë pasi Parlamenti Evropian ka kaluar shkallën e fundit për liberalizim të vizave në Strasburg, në Kosovë ka filluar gara për marrje të meritave për këtë proces në mes të pozitës dhe opozitës.

E para që ka reaguar ka qenë Lëvizja Vetëvendosje. Në njoftimin e saj, partia e Albin Kurtit ka vlerësuar se puna e Qeverisë Kuti e ka zhbllokuar këtë proces.

Është puna dhe angazhimi i qeverisjes së re në vend që ka zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave dhe ka bindur vendet anëtare të BE-së ta caktojnë datën 1 janar 2024, si datën e fundit prej të cilës qytetarët tanë do të lëvizin pa regjimin e vizave. Kosova në dy vitet e fundit përmes miratimit të mbi 100 ligjeve kreu reformën më të lartë ndonjëherë në kuadër të integrimit evropian.”, është thënë në njoftimin e VV-së.

I të njëjtës vijë ka qenë edhe reagimi i Qeverisë.

Në komunikatën për medie, Zyra e Kryeministri ka përmendur tri elemente që ndikuan në zhbllokimin.

Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”, është thënë në njoftim.

Ndryshe nga Qeveria, Presidentja Vjosa Osmano ka thënë se meritat për liberalizim i ka populli i Kosovës. “Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme. Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në “Facebook”.

Opozita akuzon VV-në për zvarritje të procesit

Ngarendja e Qeverisë për t`i marrë meritat në këtë proces, ka nxitur reagimin e opozitës dhe shoqërisë civile.

Ata kanë fajësuar pikërisht partinë në pushtet për bllokim të këtij procesi në vitin 2016, kur pengonin ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dje se kauza e atëhershme për demarkacionin ka qenë e rrejshme.

Me shumë vite vonesë, disa të shkaktuara nga kauzat e rrejshme të eksponentëve të klasës politike që sot janë në pushtet, e disa të tjera nga shpërfillja nga ana e B.E, më në fund u përmbyll procesi i stërgjatur i liberalizimit të vizave. Mirënjohje dhe falenderim të gjithë zyrtarëve publik, në Institucionet qëndrore dhe lokale, për punën dhe angazhimin në përmbushjen e kritereve të paracaktuara nga Komisioni Evropian.”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në “Facebok”.

Edhe ish-kryeministri Isa Mustafa ka fajësuar partinë në pushtet për zvarritje të këtij procesi.

Sipas tij, po mos të ishte penguar demarkacioni me Malin e Zi, liberalizimi do të kishte ndodhur në vitin 2016.

Liberalizimi është dashur të ndodhë në vitin 2016, atëherë kur kemi qenë në prag të përmbushjes së të gjitha kritereve. Pengonin këta që janë tani në pushtet me kauzën e rrejshme të demarkacionit”, ka thënë Mustafa për Insajderi.

Kjo ditë duhet të jetë përbashkuese

As shoqëria civile nuk ka qëndruar neutrale ndaj pretendimeve të qeverisë për merita në këtë proces.

Drejtori i Institut Epik, Demush Shasha, ia ka rikujtuar Qeverisë se për këtë proces e ka përmbushur vetëm një kriter.

Sipas tij, 94 kriteret tjera janë përmbushur nga qeveritë e kaluara.

Është misterioze kjo mungesë e zemërgjerësisë së Qeverisë. Edhe nëse shkojmë në ekstrem dhe e pranojmë pretendimin e VV-së se fal punës së tyre u përmbush një kriter i mbetur (sundimi i ligjit), prapë mbesin 94 kritere të tjera të cilat ata nuk i kanë përmbush, por dikush tjetër. Dita sikur kjo e sotme duhet të jetë ditë përbashkuese dhe festive e gjithë spektrit politik. Barra e zgjatjes së dorës është çdo herë mbi shumicën”, ka shkruar Shasha.

Kurse, drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se sikurse partitë politike të ishin më të vëmendshme, ky proces do të përfundonte më herët.

Sot me se paku politikanët do duhej të flasin për Liberalizimin e Vizave dhe meritat mbi këtë proces. Sikurse këta politikanë të ishin dakoruar dhe të mos i lëndonin seriozisht vlerat demokratike, e interesat e kauzat e tyre politike t`i shndërronin në strategji për ecje përpara dhe përjashtim të dhunës si pjesë të veprimit politik në vitet 2015-2016, liberalizimi i vizave do te ndodhte qysh atëherë”, ka shkruar Kryeziu.

Ndërsa, analisti Ilir Mirena, ka thënë se ky proces ishte bllokuar për shkak të VV-së dhe një pjese të opozitës se sotme.

Ama mirë mos t'harrojmë që para 7 vitesh, me 2016, Kosovës i është bllokuar heqja e vizave shkaku i këtyre që sot janë në pushtet, VV'së, dhe një pjese të opozitës së papërgjegjshme të asaj kohe. Krejt ky dem i madh na është ba për një kauze të rrejshme, që quhej demarkim i kufirit me Malin e Zi”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Procesin e negociatave për liberalizim Kosova e kishte filluar në vitin 2012, pra 10 vite me parë. Më 19 janar 2012, Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Cecilia Malmstrom, vizitoi Kosovën, me ç'rast paraqiti planin për dialog mbi liberalizimin e vizave.

Që atëherë, Kosovës i janë vendosur kritere të ndryshme, të cilat edhe ndryshonin. Por, e pandryshuar mbeti përgjigjja, që ishte mohuese e një marrëveshjeje të mundshme.

Më 4 maj 2016, Komisioni Evropian pati dhënë konfirmimin se Kosova ka plotësuar kriteret e vendosura për liberalizimin e vizave dhe rrjedhimisht i kishte propozuar Këshillit të BE-së, vendosjen e regjimit të udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës.

Përderisa Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian dhanë dritën e gjelbër ose miratimin për liberalizim potencial të vizave për Kosovën, Këshilli i Ministrave i BE-së nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme