“Hapni telefonat”: Pas vendimit për liberalizim të vizave, shpërthen humori me diasporën
Vendimi final i Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën i ka gëzuar shumë kosovarët. Nga gëzimi ka shpërthyer edhe humori me diasporën.
Shumë figura publike kanë shkruar statuse sarkastike për diasporën, duke i ftuar familjarët nga diaspora që të bëhen gati sepse natën e dytë të Vitit të Ri do ta presin atje.
Ndër të paret që ka shkruar ka qenë gazetari Arben Ahmeti, i cili është tallur me një të afër të tij në Itali.
“Burim Llugaxhiu kthehu ne grupin e familjes ne viber ooo tezak. Po dojme krejt kusherinjte me ardh me ju befasu naten e dyte te vitit te ri te ju ne Itali. Urime liberalizimi”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe korrespondentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina, ka pyetur se ku do ta presin kosovarët Vitin e Ri.
“Ku po e festoni naten e dyte te Vitit te Ri”, ka shkruar Tuhina.
Gazetari tjetër i RTK-së, Alban Selimi, është ankuar se të afërmit e tij në diasporë po i mbyllin dyert.
“Kusherite p’i mshelin dyrte n’diaspore...”, ka shkruar Selimi.
Kurse, opinionisti Halil Matoshi ka postuar një fotografi të një shtëpie me shumë të mbathura para derës, duke thënë se kështu do të dikën shtëpitë e diasporës më 2 janar.
“Visa free 🇽🇰 Sh’pia e “gërnaçave” më 2 janar, 2024. Valon A. Syla rock on”, ka shkruar Matoshi.
Sot Parlamenti Evropian ka dhënë vendimin pozitiv, duke miratuar propozimin për liberalizim të vizave.
Deputetët e Parlamentit Evropian sot kanë dhënë vendimin final për liberalizimin e vizave, duke votuar pro lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovë nëpër zonën Schengen.
Ceremonia e nënshkrimit bëhet nesër, kur do të jenë prezent edhe përfaqësuesit e Kosovës.
Pas një pritje për më shumë se një dekadë, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza që nga 1 janari i vitit 2024.
