“Merakli t’pushimeve”, punëtorët e sektorit publik në Kosovë nuk punojnë në 11 festa zyrtare - NACIONALE

“Merakli t’pushimeve”, punëtorët e sektorit publik në Kosovë nuk punojnë në 11 festa zyrtare

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dita e hënë e kësaj jave, pra 9 maji, shënoi të hënën e katërt që punëtorët e sektorit publik nuk dolën në punë. Kjo pasi në këtë datë u pushua për nder të Ditës së Evropës, e cila me gjasë më së shumti ‘lumturon’ punëtorët e sektorit publik që përfitojnë nga dita e festës.

Por, të njëjtit, për arsye të ligjeve në fuqi, përfitojnë 11 ditë pushimi më tepër, pa përfshirë pushimet vjetore të rregullta, gjatë vitit.

Ligji për Festat Zyrtare parashikon 11 të tilla, të cilat respektohen plotësisht nga institucionet publike, ndërkohë që shumë biznese të sektorit privat funksionojnë sikurse në secilën ditë tjetër.

Përveç këtyre festave, ligji i Kosovës përcakton edhe tetë ditë të tjera përkujtimore. Dita e Flamurit Shqiptar është 28 Nëntori dhe Dita e Paqes është 12 Qershori, që të dyja janë festa kombëtare, por për të cilat nuk pushohet.

Sipas ligjit të festave zyrtare, nëse një festë bie të shtunën ose të dielën, kompensimi bëhet ditën tjetër të punës, e që zakonisht është të hënave.

Gjashtë festat e mbetura përkujtimore përkujtojnë ditën e komuniteteve të ndryshme të Kosovës.

Ta zëmë, këtë vit 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punës, i ka rënë që të jetë e diel, por dita e pushimit është bartur për të hënën. Njësoj ka ndodhur edhe me festën e Bajramit në muajin prill. Edhe për dy festat e ardhshme (Bajrami i Vogël dhe Krishtlindjet Katolike), të cilat i bien në ditë vikendi, do të pushohet gjithashtu.

Ndonëse numri i madh i festave zyrtare është shqyrtuar edhe në Qeverinë e Kosovës kohë më parë, me propozim për kufizimin e ditëve të pushimeve, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i ka thënë Gazetës Nacionale se në Kosovë punëtoret e sektorit publik po humbin produktivitetin e tyre nga numri i madh i festave zyrtare. Sipas tij, ata edhe pse janë të shumtë në numër, kalojnë kohën duke pritur një ditë feste.

AKB vlerëson që festat duhet festuar por jo gjithmonë duke pushuar, do të thotë duhet që kjo të ndryshojë qasjen që ne të festojmë edhe duke punuar, kështu do të jemi më produktiv për të nxënë ditë të punës e jo gjithmonë të kënaqen sidomos punëtorët e sektorit publik të cilët mezi presin për një ditë feste. Produktiviteti i tyre në administratën publike-shtetërore është shumë i vogël karshi numrit të madh të të punësuarve”, tha Shahini.

Tutje, kryetari i AKB-së thekson se festa e Ditës së Evropës, e cila u shënua dje me një ditë pushimi, mund të festohen edhe duke punuar, një shembull që ndiqet nga shumë vende të Evropës.

Në sektorin privat kjo është më ndryshe sepse kjo festë, sidomos festa e 9 Majit, është festë që respektohet nga shteti, por sektori privat e respekton këtë festë duke punuar, sepse është një modalitet që edhe vetë shtete të Evropës e praktikojnë”, theksoi Shahini.

Por, ndryshe mendon Avdi Smajlaj, i cili i ka treguar Nacionales arsyet se pse duhet festuar me rastin e Ditës së Evropës. Krahas festës, ai thekson se duhet edhe të protestohet.

Mendoj se duhet festuar dhe duhet protestuar. Duhet festuar për faktin që e ardhmja jonë është në BE, dhe në këtë ditë do të duhej reflektuar në kuptimin e zhvillimit e promovimit të vlerave të BE-së. Një lloj procesi simbolik i socializimit me vlerat e BE-së. Por, simbolikja vetvetiu është e pamjaftueshme”, ka thënë ai.

Ndonëse Kosova ka një numër relativisht të lartë të festave zyrtare, hiç më mirë nuk qëndron në këtë aspekt as Shqipëria. Shteti shqiptar, numëron plot 14 festa zyrtare.

Kujtojmë që festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj, janë Viti i Ri, krishtlindjet ortodokse, Dita e Pavarësisë, Dita e Kushtetutës, pashkët katolike, pashkët ortodokse, dita ndërkombëtare e punës, dita e parë e Bajramit të Madh, Dita e Evropës, dita e parë e Bajramit të Vogël dhe krishtlindjet katolike.

Lajme të ngjashme