Procesi i zgjedhjes së shefit të SKQZ-së drejt dështimit: Përfaqësues të institucioneve të pavarura nisin tërheqjen, a po ngec plani VV-së?
Të premten ka dështuar mbajtja e intervistimit me shkrim për kandidatët për shef të ri të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Njëri nga anëtarët e Komisionit të Pranimit (KP) është tërhequr në momentet e fundit, pak para fillimit të testit me shkrim.
Gazeta Nacionale ka mësuar nga burimet brenda KQZ-së se tërheqja e anëtarit ka ardhur vetëm pak kohë para orës 10:00, duke lënë të hapur mundësinë që edhe anëtarë të tjerë të tërhiqen dhe konkursi për zgjedhjen e drejtorit të SKQZ-së të dështojë përfundimisht.
Një ditë me parë, gazeta Nacionale ka raportuar se vazhdimi i procedurave të këtij konkursi është i kontestueshëm. Kjo pasi zhvillimi i procedurave të rekrutimit 9 muaj pas mbylljes së konkursit po konsiderohet si shkelje e Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Ligji në fjalë obligon institucionet publike që në konkurse të veprojmë me efikasitet, proporcionalitet dhe brenda një afati të arsyeshëm.
Drejtori i SKQZ-së zgjidhet përfundimisht nga KQZ përmes votimit të fshehtë, por paraprakisht procedurat tjera, siç është ajo e intervistimit të kandidatëve me shkrim dhe me gojë mbahet nga një Komision i Pranimit, i cili përbëhet nga 5 anëtarë. Në këtë komision me nga një anëtar përfaqësohen Gjykata Kushtetuese, Këshillit Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe dy anëtarë të tjerë.
Sipas burimeve, pikërisht njëri nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve është tërhequr në momentin e fundit dhe kjo ka bërë që të shtyhet procesi i mbajtjes së intervistimi me shkrim, por nuk dihet nëse do të mbahet.
Nacionale ka raportuar një ditë më herët (23 korrik) se deri më 20 gusht është afati i fundit kur ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, duhet të përfundojë procedurat për emërimin e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por gjatë këtyre ditëve të mbetura, partisë se Albin Kurtit po i ngutet të “kap” një pozitë të rëndësishme në këtë institucion, atë të Drejtorit të SKQZ-së.
Sipas raportimit të mbështetur në burime të afërta me KQZ-në, nuk dihej nëse anëtarët e këtij paneli do të paraqiteshin për intervisitim me shkrim të kandiatëve, pasi zhvillimi i procedurave të rekrutimit 9 muaj pas mbylljes së konkursit po konsiderohet si shkelje e Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Përmes këtij konkursi, VV-ja është duke synuar “kapjen” e kësaj pozite në KQZ, duke rrezikuar legjitimitetin e të gjithë procesit.
Kjo parti është duke shfrytëzuar situatën e krijuar në KQZ, ku partitë opozitare, respektivisht PDK, është e përfaqësuar me një anëtar me pak dhe rrjedhimisht me një votë më pak.
Pikërisht përfaqësuesja e VV-së, që është bërë U.D. e Presidentes, Albulena Haxhiu, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të emëruar përfaqësuesin e dytë të PDK-së në KQZ.
Sipas rregullores së brendshme 11/2024 për pranimin e Drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, ky Komision ka për detyrë që të bëjë vlerësimin profesional të kandidatëve, duke përfshirë vlerësimin e njohurive, aftësive dhe cilësive profesionale, testimin me shkrim dhe intervistën me gojë.
Pas kësaj, ky Komision përgatit listën e kandidatëve që marrin më shumë se 70 për qind të pikëve.
Të gjithë kandidatët e vlerësuar nga Komisioni mbi pragun minimal të 70% të pikëve të përgjithshme të vlerësimit, konsiderohen kandidat fitues.
Përzgjedhjen përfundimtare, pra të drejtorit të ri të SKQZ-së, duhet ta bëjnë anëtarët e KQZ-së me votim të fshehtë.
Në përbërjen aktuale, VV duke bashkuar votat me përfaqësuesit e minoriteteve, lehtësisht mund të mbivotojë opozitën që ka një votë më pak në KQZ. Kjo për shkak të refuzimit të U.D. të Presidentes, Albulena Haxhiu, të emërojë anëtarin e dytë të PDK-së.
Sipas rregullores së KQZ-së, kandidati që merr shumicën e votave të anëtarëve të KQZ-së, konsiderohet i përzgjedhur dhe emërohet si Drejtor i SKQZ-së.
Aktualisht, kryetar i KQZ-së është Kreshnik Radoniqi, i emëruar pas fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet e vitit 2021 dhe kjo parti përfaqësohet me dy anëtarë, Alban Krasniqin dhe Violeta Salihun, kurse tri minoritetet, turk – boshnjak – ashkali, me të cilat VV është në bashkëqeverisje, kanë nga një përfaqësues. Partitë opozitare(PDK, LDK, AAK) përfaqësohen me vetëm nga një anëtar. Edhe Lista Serbe ka një përfaqësues.
Në këtë përbërje, mungesa e një vote nga radhët e opozitës mund të përcaktojë rrjedhën e përzgjedhjes së drejtorit të ri të KQZ-së, por edhe të cilësisë së organizimit të zgjedhjeve të ardhshme.
Sipas Nenit 66 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Drejtori i Sekretariatit është zyrtari më i lartë administrativ i KQZ-së dhe udhëheq të gjithë Sekretariatin. Ai nuk merr vendime politike apo zgjedhore, por është përgjegjës për funksionimin e përditshëm të institucionit dhe zbatimin e vendimeve të KQZ-së.
Rëndësia e këtij pozicioni qëndron në faktin se drejtori është shefi ekzekutiv i administratës së KQZ-së. Ai koordinon punën e administratës që organizon zgjedhjet, menaxhon stafin dhe buxhetin, siguron zbatimin e vendimeve të KQZ-së dhe garanton funksionimin e përditshëm të institucionit. Për këtë arsye, posti konsiderohet një nga pozitat më me ndikim në administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë.