Memli Krasniqi pret në takim Kryetarin e partisë Alternativa nga Maqedonia e Veriut
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, Kryetarin e partisë Alternativa nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashin.
Përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi ka thënë se me Gashin kanë diskutuar për gjendjen e politike në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut si dhe nevojën e vazhdueshme për thellimin e bashkëpunimit mes dy partive politike shqiptare.
“Partia Alternativa, për një vit sa është pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoni të Veriut, ka bërë një punë të rëndësishme në fuqizimin e rolit të faktorit shqiptar atje, për çka, kryetarin Gashi dhe bashkëpunëtorët e tij i përgëzova për angazhimin e palodhshëm në këtë aspekt”, ka shkruar Krasniqi.
Kreu opozitar shtoi se partia e tij mbetet e përkushtuar për bashkëpunim për, siç tha ai, mbrojtjen edhe fuqizimin e interesave shqiptare në rajon.
