Mehmet Kraja e demanton Frashër Demajn: Nuk kërkova falje, kryetari nuk mund të shkarkohet - NACIONALE

Mehmet Kraja e demanton Frashër Demajn: Nuk kërkova falje, kryetari nuk mund të shkarkohet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka kërkuar falje për gabimin që e ka bërë me publikimin e analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”.

Për këtë arsye, Kuvendi i Jashtëzakonshem i Akademisë, i cili është mbajtur sot, nuk e ka shkarkuar.

Akademiku Frashër Demaj, i cili ka qenë pjesë e kuvendit, ka thënë për gazetën Nacionale se kuvendi ia ka pranuar kërkimfaljen e kryeakademikut.

Kuvendi u përmbyll me faktin që Kraja kërkoi falje për gabimet që e ka bërë me rastin e publikimit të tekstit. Për dy arsyeje: e para, se ka qenë tekst jashtë logjikes shkencore, dhe e dyta, për shkak se tekstin e ka botuar në emër të Akademisë pa miratimin e Akademisë. Pra, ai ka kërkuar falje dhe Kuvendi i mbylli punimet”, ka thënë Demaj.

Pas kësaj ka reaguar vet Kraja, i cili ka bërë të ditur se nuk ka kërkuar falje, dhe sipas tij askush nuk e ka kërkuar nga ai një gjë të tillë.

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Akademisë nuk kam kërkuar falje dhe as e ka kërkuar dikush prej meje një gjë të tillë. Duke mos pasur baze ligjore për të marrë në përgjegjësi kryetarin e Akademisë, u propozua një kompromis, për të cilin është shprehur qartë akademik Isa Mustafa: “Z Kraja pas shumë diskutimeve u arrit pajtimi të vazhdojë në pozitën e Kryetarit të ASHAK. Përkushtimi do të jetë në bashkëpunimin më të ngushtë dhe në implementimin e programit të Akademisë”. Ky është kompromisi. Deklaratat tjera janë spekulime pa asnjë peshë dhe vlerë.” – ka shkruar Kraja në Facebook.

Kritikat ndaj Krajës

Publikimi i analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” në emër të Akademisë kishte nxitur reagime të shumta të anëtarëve të Akademisë dhe të publikut në përgjithësi. Kjo pasi analiza ishte një opinion i tij personal dhe nuk kishte marrë miratimin për t`u publikuar në faqen e Akademisë.

Në këtë publikim, Kraja kishte shprehur mendimet e veta, duke e publikuar si qëndrim të ASHAK-ut. Në këtë analizë, ai kishte kritikuar shumë figura publike në Kosovë, duke përfshirë edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas tij, Thaçi “planifikonte” ndarje të Kosovës bashkë me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Po ashtu, ai akuzonte edhe shtetin e Kosovës se "pranoi" njohje të sponsorizuara të shtetësisë në mënyrë korruptive.

"Kosova bëri gabim të madh që pranoi njohje të sponsorizuara në mënyrë korruptive, sepse Serbia, po me korrupsion, njohjet e tilla i bëri pothuajse të papërdorshme etj." - thuhej në analizën e këtij institucioni.

Gjithashtu, në këtë analizë ai mbështeste akuzat e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Këto kritika kishin nxitur nisjen e procedurës për shkarkimin e Mehmet Krajës nga posti i kryetarit të ASHAK-ut.

Pas kritikave të shumta, Kraja e kishte larguar analizën nga faqja e Akademisë dhe kishte pranuar se në tekst i kanë rrjedhur disa gabime teknike.

Pak javë më parë, Akademik Muhamedin Kullashi pat renditur një mal akuzash ndaj Mehmet Krajës.

Në një intervistë dhënë gazetarit të Nacionales, Kullashi pati thënë se i pari i akademikëve kosovarë disa herë e ka keqpërdorur detyrën e tij.

"Është Seksioni i Shkencave Shoqërore i ASHAK, i cili kërkon nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Akademisë shkarkimin e kryetarit Kraja për një varg të shkeljeve të rregulloreve të akademisë. Ai botoi në web faqen e ASHAK-ut një artikullit personal duke e paraqitur rrejshëm si artikull i anëtarëve të akademisë.

Është fjala për një artikull të dobët e joshkencor, prej katërdhjetë faqeve ku nuk gjeni asjnë referencë shkencore. Seksioni ynë qysh para një viti ka shfaqur mospajtimin që ai tekst personal të paraqitet si tekst i përbashkët i akdemikëve të disa seksioneve", deklaronte Kullashi.

Lajme të ngjashme