Intervistë | Kullashi: Kraja duhet të shkarkohet, keqpërdori disa herë postin e kryetarit të Akademisë
Akademik Muhamedin Kullashi ka drejtuar një mal akuzash ndaj kryetarit të ASHAK-ut, Mehmet Kraja. Ai ka thënë se kryeakademiku ka keqpërdorur disa herë pozitën e tij. Sipas Kushallit, Kraja ka fyer gjithë akademikët dhe më nuk ka kredibilitet për të qëndruar në atë post.
Akademik Muhamedin Kullashi ka kërkuar shkarkimin e kryetarit të ASHAK-ut, Mehmet Kraja.
Ai ka thënë se kryeakademiku me publikimin e analizës se tij në faqen zyrtare të akademisë ka keqpërdorur funksionin e kryetarit të Akademisë.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka vlerësuar se ky nuk është i vetmi keqpërdorim që ka bërë Kraja.
Kullashi ka kritikuar analizën e fundit të Krajës të titulluar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”.
Akademiku ka bërë me dije se teksti ishte joshkencor dhe në 40 faqet e tij nuk gjendet asnjë referencë shkencore.
Kullashi ka drejtuar edhe një mori akuzash ndaj Krajës për sjelljen e tij në akademi.
Ai ka bërë me dije se kryeakademiku vazhdimisht është shquar me sjellje arrogante e shpërfillëse ndaj anëtarëve të akademisë.
Sipas tij, asnjëherë në historikun e kësaj akademia nuk ka ndodhur që një kryetar t’i fyej aq rëndë koleget e tij akademikë.
Nacionale: Z. Kullashi, ju dhe disa akademikë tjerë keni kërkuar nga kryesia e AShAK-ut që të thërras Kuvendin e Jashtëzakonshëm për të diskutuar për veprimet e papërgjegjshme të kryeakademikut Kraja. Çka pritni nga ky kuvend?
Kullashi: Është Seksioni i Shkencave Shoqërore i ASHAK, i cili kërkon nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Akademisë shkarkimin e kryetarit Kraja për një varg të shkeljeve të rregulloreve të akademisë. Ai botoi në web faqen e ASHAK-ut një artikullit personal duke e paraqitur rrejshëm si artikull i anëtarëve të akademisë. Është fjala për një artikull të dobët e joshkencor, prej katërdhjetë faqeve ku nuk gjeni asjnë referencë shkencore. Seksioni ynë qysh para një viti ka shfaqur mospajtimin që ai tekst personal të paraqitet si tekst i përbashkët i akdemikëve të disa seksioneve.
Nacionale: A ka bërë keqpërdorime të tilla z. Kraja edhe më herët?
Kullashi: Në këtë mënyrë ai e ka keqpërdorë funksionin e Kryetarit të Akademisë. Fatkeqësisht, nuk është ky i vetmi keqpërdorim. Ka një kohë që është shquar me sjellje arrogante e shpërfillëse ndaj anëtarëve të Akademisë. Është shumë e rëndë po kështu edhe deklarata e tij publike se në “Akademi ka banda”. Asnjëherë në historikun e kësaj Akademia nuk ka ndodhur që një kryetar t’i fyej aq rëndë anëtarët e Akademisë.
Do përmend edhe disa nga shembujt e sjelljet të tij të papërgjegjshme e arrogante. Para do kohe ai e sulmoi ashpër, me një shkresë zyrtare Këshillin për Bashkëpunim Ndërkombëtar(KBN) të Akademisë, anëtar i të cilit jam edhe unë, se gjoja nuk e ka njoftuar për një iniciativë për bashkëpunim. Në fakt, ky Këshill që merret me zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me Akademitë e rëndësishme evropiane, së fundi arriti që të çelë udhën edhe për nënshkrimin e një Konvente të bashkëpunimit me njërën nga Akademitë e Italisë. Mirëpo, në vend se ta falënderoj këshillin për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar ai e sulmon vrazhdë këtë duke thën se gjoja nuk e ka informuar për këtë hap. Reagimi i tillë absurd i Krajës bëhet më i qartë nëse keni parasysh se ai, ndonëse ftohet nga shumë Akademi evropiane, me të cilat ne kemi bashkëpunim, ai nuk merr pjesë në bashkëpunimin ndërkombëtar.
Në mbarim të vitit të kaluar ai u orvat, në mënyrë arbitrare, ta pengoj mbajtjen e një konference shkencore të akademisë sonë, ndonëse konferenca ishte aprovuar me procedurë të rregullt. Ngjashëm ai u orvat ta pengojë botimin e një libri, i cili po kështu kishte kaluar fazat procedurale të aprovimit. Kësodore, ndonëse ai nuk ka asnjë kompetencë shkencore as për temën e konferencës e as për atë të librit, ai manifestoi vullnetin për përdorim arbitrar të funksionit që ka.
Nacionale: Arsyet që keni përmendur në kërkesë, a janë të mjaftueshme për shkarkimin z. Kraja në pozita e kryetarit të ASHAK-ut?
Kullashi: Kërkesa e Seksionit tonë është e qartë: pikërisht për shkak të sjelljeve të tij arrogante e arbitrare ndaj kolegëve, për shkak të keqpërdorimit të funksionit të tij, për shkak të fyerjeve të rënda, për shkak të nxitjes së përçarjeve në akademi, ne kërkojmë shkarkimin e tij nga posti i kryetarit. Ai nuk ka më kredibilitet të ushtroj funksionin e Kryetarit, i cili duhet të kultivojë, veç tjerash, edhe harmonizimin e raporteve midis anëtarëve dhe seksioneve të akademisë.
Nacionale: Ju e keni kritikuar analizën e Krajës. Cilat mendoni se janë dëmet që ajo analizë ka mundur t`ia sjell akademisë dhe Kosovës?
Kullashi: Në fakt ne kemi kritikuar keqpërdorimin e funksionit të kryetarit për ta paraqitur një tekst personal të tij si tekst i përbashkët i anëtarëve të Akademisë. Ne nuk kemi hyrë në vlerësimin e pikëpamjeve të tij politike; ato i takojnë atij. Ne kemi konstatuar se është fjala për një tekst të dobët joshkencor, e sidomos me paraqitjen e rrejshme të atij teksti si tekst i Akademisë ai i ka bërë dëme institucionit tonë.
Nacionale: Ju keni kritikuar analizën e z. Kraja se ajo nuk paraqet diçka shkencore. Çka po bën akademia në këtë drejtim? Çfarë botimesh po nxjerr?
Kullashi: Akademia jonë ka kohë që është afirmuar si botues i rëndësishëm në gjuhën shqipe nga lëmi të ndryshëm të kërkimeve shkencore, në veçanti nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë shqipe, nga historia, nga ekonomia, nga shkencat juridike, nga demografia, nga filozofia, nga sociologjia, nga shkenca politike, e njëherit edhe nga shkencat natyrore e teknike si dhe nga artet. Akademia boton edhe tri revista shkencore “Studime” nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë, “Studime shoqërore” nga lëmi i shkencave shoqërore dhe “Kërkime” nga shkencat natyrore.
Çdo vit akademia jonë boton mesatarisht 20 libra nga këto fusha. Një formë e rëndësishme e aktiviteteve tona janë konferencat shkencore ndërkombëtare me tema e çështje nga lëmi të ndryshme. Së voni e kemi pasur një konferencë për rolin e këmbimit të dhuratave në konstituimin e lidhjeve shoqërore. Në kumtesat e pjesëmarrësve janë shpalosur kërkime nga fusha e antropologjisë, e sociologjisë, e filozofisë dhe letërsisë.
Nga fusha e historisë janë botuar, fjala vjen, analiza të dokumenteve gjermane në dy vëllime për Luftën e Dytë Botërore. Pastaj, janë botuar edhe disa botime të veçanta si ai mbi mendimin këshillimor për Kosovën i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Janë botuar edhe monografi nga fusha e arteve: fjala vjen monografitë për piktorët Xh. Xhafa dhe R. Ferri.
Në fillim të muajit maj do të mbahet konferenca ndërkombëtare “Filozofia dhe poezia”, në të cilën do të marrin pjesë edhe dy studiues të shquar francez.
Është mbajtur po kështu edhe konferenca shkencore për poezinë shqipe të fillimit të shekullit XXI, etj. Në Akademi ftohen rregullisht emra të shquar të akademive evropiane për ligjërata e pjesëmarrje në konferenca shkencore ndërkombëtare.