Mediumi suedez: Kurti na flet pak pasi “u ligjërua” nga Escobar e Lajçak, është i hapur për zgjedhje
Pak pasi mbajti takimin me emisarët Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar paa disa ditësh, kryeministri Kurti dha një intervistë për mediumin suedez “Aftonbladet”. Këtu, shefi i Qeverisë e konfirmoi se është i hapur për mbajtje të zgjedhjeve të reja në veri.
“Kur Albin Kurt iu përgjigj me shkrim pyetjeve tona një ditë pas kërkesës sonë, ai pak a shumë ishte ligjëruar nga i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak dhe i ShBA-së, Gabriel Escobar.” – kështu thuhet brenda tekstit të këtij mediumi.
Një prej pyetjeve të para që iu shtrua kryeministrit Kurti ishte ajo në lidhje me kërkesën që Policia e Kosovës të largohet nga objektet e komunave.
“Objektet e komunave i përkasin Kosovës. Policia e Kosovës janë brenda dhe përreth këtyre objekteve, përkrah me personelin e NATO-s sepse atje ka grupe të dhunshme qëllimet e të cilave nuk janë paqësore.” – ka thënë ai.
Kurti më pas shtoi se është i hapur në propozimin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Por çfarë duhet të ndodhë, sipas tij, që zgjedhjet të mbahen?
“Kemi nevojë që ndërkombëtarët të dënojnë fuqishëm këto ngjarje dhe prezencën e ekstremistëve të dhunshëm e grupeve kriminale, po ashtu ndalim të menjëhershëm të sulmeve në institucione lokale e ndërkombëtare.” – tha kryeministri.
Sipas Kurtit, para se të mbahen zgjedhjet, duhet të sigurohet që nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve të kaluara që u mbajtën më 23 prill.
“Duhet të ndodhë pa intervenimin e Beogradit, i cili edhe një herë do t’i ndalonte serbët që të merrnin pjesë në zgjedhje, si votues dhe si kandidat.” – ka thënë ai.
Deri atëherë, sipas Kurtit duhet të sigurohet funksioni demokratik i komunave.
“…kjo nuk ka funksionuar për gjashtë muaj tani. Ne kemi nevojë për kryetarë që punojnë.” – tha ai.
Kërkesa e ShBA-së dhe BE-së
Escobar e Lajçak të hënën vizituan Kosovën dhe takimin e parë e zhvilluan me kryeministrin Albin Kurti.
Kujtojmë se SHBA dhe BE kanë kërkuar nga Kurti që të përshkallëzojë situatën në veri të vendit, të krijojë mundësi për zgjedhje të reja në veri ku do të marrin pjesë edhe serbët si dhe të fillojë punën për zbatimin e Asociacionit.
S’ka afat
Dje Escobar e Lajçak qëndruan për vizitë në Serbi dhe në një konferencë për media, ai u pyet rreth raportimeve për një afat të vendosur ndaj Qeverisë së Kosovës.
Escobar konfirmoi se nuk kanë vendosur afat, por po ashtu tha se deri më tani nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria në lidhje me planin për deeskalimin e situatës.
“Mendoj që diskutimet mes Kosovës dhe BE-së do të vazhdojnë, kështu që nuk e di që nëse ka pasur një përgjigje konkrete nga Kosova, shpresoj që Qeveria të njohë atë që po duam të arrijmë…” – tha ai.
Emisari amerikan e përmendi se do të pyetet të premten nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me atë që po ndodhë në krejt këtë situatë, dhe në bazë të raportit të tij, do të ndërmerren disa hapa, ndonëse nuk tregoi se për çfarë bëhet fjalë.
“Nuk kam vendosur afat. Ajo që më është kërkuar në Prishtinë, ka qenë se cilët janë hapat e ardhshëm. Unë dhe z.Lajçak thamë se pas kësaj vizite, jam duke u pyetur të premten nga Shtëpia e Bardhë se çfarë po ndodhë, duhet të raportoj nëse ka progres, ai duhet të raportojë po ashtu. Nuk është afat, por ky është hapi i ardhshëm për mua, dhe bazuar në raportin tim, do të marrim disa vendime për të ecur përpara.” – tha ai.

