“Me pasë guxim ua qet rampën”; “Kot e ke”: Dënohen ashpër fyerjet e ulëta të Bashës ndaj deputetëve nga Drenica
Deputeti i VV-së, Dimal Basha, nuk ka mundur të përmbahet mbrëmë nga fyerjet për deputetët që vijnë nga Drenica. Duke kritikuar qëndrimin e opozitës për mosvotimin e marrëveshje ndërkombëtare, ai është ndalur vetëm të deputetët e rajonit, i cili njihet si bastion i PDK-së.
Ndonëse deputetët e PDK-së dhe AAK-së, që kanë refuzuar votimin e marrëveshjeve në fjalë janë nga të gjitha rajonet e Kosovës, ai është marrë vetëm me deputetët e PDK-së që përfaqësojnë këtë rajon.
Madje, ai është tallur me ta duke thënë se tani kanë dalë në Prishtinë dhe nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas tij, ata deshirojnë të “nxehen dimrit” dhe nuk dëshirojnë t`i votojnë marrëveshjet.
Deklarimet e Bashës së VV-së kanë nxitur reagimin e deputetëve nga Drenica.
Ata kanë thënë se kjo tregon për përbuzjen që ai dhe VV-ja kanë ndaj Drenicës.
E para që ka reaguar ka qenë deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Në profilin e saj në “Facebook”, Musliu ka shkruar se me pasë guxim Dimal Basha drenicasve ua vendos rapmen në Komoran.
Ajo ia ka bërë me dije deputeti të VV-së se kjo kohë ka përfunduar në vitin 1999.
“Deklaratat dhe veprimet qe përdori pushteti në javën që e lamë pas tregojnë më se miri se ku është katandisur një pushtet që është futur në vitin e fundit të mandatit pa pasë asnjë projekt për të prezantuar para qytetarëve. Në mungesë të suksesit dhe kredibilitetit, për qytetarët servojnë vetem propagandë përqarse e dstabilizuese. Prandaj ne e dijmë që Dimal Basha bashkë me do tjerë me guxu drenicakëve ua qesin rampen në Komoran e Nadakvc qysh na e pat qitē policia e serbisë ne vitin 1998-1999, po kjo kohë i ka përfundu Dimalave në 1999-tën”, ka shkruar Musliu.
Deputetit Basha i ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila vjen nga rajoni i Drenicës.
Ajo ka bërë me dije se përpjekjet e deputetit të VV-së për ta ofenduar Drenicën janë të kota.
“Dimal Basha, kot mundohesh ti bashkë me partinë tënde me ofendu Drenicën e përfaqësuesit e saj! Shenjë nuk na leni sepse historia na ka lartësu, e ajo nuk e përsëritë veten! Vazhdo bëja avokatin Albinit se ka mbet i ngujuar në Kosovë”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Gjuhen e Bashës e ka dënuar edhe gazetari Milaim Zeka.
“Ky shoku im per mu “e ka”, ama ka harru me tregu se deri nuk ja nisi luftes Drenica, a e din sa kujte ja kan fute pendrekun ne prapanice policia serbe, bash ne Kryqin e Komaranit?! I ka leshu memoria nga zullumi serb 110 vjeçar”, ka shkruar Zeka në profilin e tij në “Facebook”.
Çka tha Basha?
Deputeti Dimal Basha ka vazhduar indinjatën ndaj opozitës, të cilën e kishte shprehur edhe kryeministri Albin Kurti në seancën e djeshme të Kuvendit.
Sipas tij, refuzimi i kryeministrit Kurti që të përgjigjet në pyetjet e opozitës ka qenë i drejt.
“Kështu, nuk është kushtëzim për shkak se unë vlerësoj që ti si deputet nuk mundesh me pasë pyetje që e shpreh interesin e qytetiarit brenda Kuvendit, ndërsa në të njëjtin Kuvend refuzon me votu marrëveshje që përafërsisht mbi 350 milionë euro. Është hipokrizi me ardhë ti me thanë jam i shqetësum për një qytetar, problem ose shqetësim të kësaj republikes, derisa, nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare që janë në vlerë të 360 milionë euro që nuk i shkojnë Lëvizjes Vetëvendosje por qytetarëve”, ka thënë Basha në emisionin “DPT të Fidani” në ATV.
Duke përmendur marrëveshje ndërkombëtare që parasheh përmirësimin e rrjetit të ngrohjes në Prishtinë, ai ka përmendur deputetët e PDK-së me prejardhje nga Drenica.
Ai ka thënë se ata nga Drenica kanë dalë në Prishtinë dhe nuk po e votojnë marrëveshjet, ndërsa dimrit “lypin me u nxe”.
“Është marrëveshja e KOSTT-it, për përmirësimin e rrjetit energjetik, e kemi ngohtoren e Prishtinës. Kush është ai njeri, se krejt këta të PDK-së prej Drenicës kanë dalë në Prishtinë, lypin me u nxe dimrit, amo nuk votojnë marrëveshje që e rrisin kapacitetin e ngrohtores në Prishtinë”, ka thënë Basha.
Kjo nuk është hera e parë që njerëzit e afërt me VV-në fyejnë Drenicën. Muaj më parë kur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kishte kritikuar Albin Kurti në Kuvend, militantët e VV-së ishin lëshuar duke e linçuar atë nëpër rrjete sociale.
Ata shin marrë edhe me rajonin prej nga vjen ajo, Drenicën.
Gjithashtu, fyerjet ndaj Drenicës kishin ardhur në shprehje edhe në fillim të këtij viti, kur rajoni i Drenicas ishte prekur nga vërshimet.