Me një ‘keqllogaritje të qëllimshme’ pretendohet se VV-ja provoi t’i mëshonte ndërmarrjes gjigante
Në muajin janar, Komisioni i Kuvendit për Ekonomi rekomandoi shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Ky veprim u nis nga Armend Muja i VV-së e u mbështet edhe nga Ferat Shala i PDK-së. Në pyetje u tha se ishin nëntë milionë euro. Por, e gjitha dyshohet të jetë keqllogaritje dhe... ndikim nga politika.
Bordi i KPMM-së ishte emëruar në dhjetorin e vitit 2021 nga Kuvendi i Kosovës ku shumicën e ka Vetëvendosja e Albin Kurtit.
Në muajin qershor 2022, ky bord e kishte dënuar me një xhobë prej 9 milionësh eurosh ndërmarrjen Newco Ferronikeli nën dyshimin se nuk kishte paguar “Rentë Minerare” sipas një Udhëzimi Administrativ 01/2011.
“Dyshimet nuk janë për një borxh prej 9 milionë euro por për një ndryshim – diferencë të mënyrës së llogaritjes së rentës minerare që nga hyrja në fuqi e Udhëzimit Administrativ 01/2011” - u shpreh KPMM.
Por, KPMM-ja i kishte ulur borxhin kësaj kompanie në 1.1 milionë pas ankimimit në muajin gusht duke e aprovuar pjesërisht ankesën e saj.

Deputeti Armend Muja shprehte çudi për një gjë të tillë në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi.
“Çuditërisht, gjatë kohës sa Kuvendi ka qenë në pauzë, gjatë verës, janë mbledhur prapë dhe ia kanë hequr atë detyrim pa marrë ndonjë shpjegim,” – argumentonte ai.
Në anën tjetër, ish-menaxhmenti i ndërmarrjes që pretendohet se dëmtoi buxhetin e shtetit po e konsideron qesharake gjithë situatën dhe të ndikuar politikisht. Sipas tyre, KPMM-ja ishte nën presion për të gjetur “shkelje të mëdha” dhe ka menduar se mund të bëjë përllogaritje duke i ndryshuar kushtet.
“Sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare ku bazohet edhe legjislacioni i Republikës së Kosovës, renta minerare aplikohet mbi sasinë e mineralit që nxirret si burim i parinovueshëm, dhe jo mbi të gjithë materialin e ekstraktuar nga gërmimet. Renta në rastin e mineraleve metalore nuk aplikohet mbi dheun e papërdorshëm apo mbi sasinë e ujit që përmban... Kjo (përllogaritja nga KPMM) është krejt qesharake pasi në lagështi/ujë nuk ka përmbajtje të mineralit metalor të Nikelit për të cilin është licencuar kompania...”
E pakuptimtë, apo jo? Edhe vendimi i gushtit të vitit 2022, siç e pamë më lart, e aprovonte pjesërisht ankesën e bërë nga NewCo Ferronikeli.
Pra, në këtë rast marrim vesh se shkeljet e konstatuara na dalin vetëm te mënyra e përllogaritjes së rentës minerare. Sali Mulaj, që kryente funksionin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të bordit në kohën kur u dënua Feronikeli, ishte pjesë e proceseve të caktuara që kishin të bënin me këtë temë për më shumë se një dekadë.
Madje, emri i tij shihet tek figuron edhe te një Memorandum i vitit të largët 2009.


A ka ndikim politik?
Deputeti Ferat Shala i PDK-së që kishte mbështetur nismën e deputetit të VV-së Armend Muja, u shpreh se “bordi kishte ardhur si rekomandim direkt i kryeministrit... Kanë qenë dhe janë bord të cilët i ka zgjedhur direkt Albin Kurti në zyrën e tij...”
Edhe deputetja tjetër opozitare, Valentina Bunjaku nga LDK, konstantonte që bordi i VV-së ishte i ndikuar politikisht.
“LVV vetë e ka emëruar këtë bord dhe në atë bord kanë qenë militantë të VV-së dhe ata të cilët kanë qenë më herët pjesë e bordit.” – kishte thënë ajo.
Nëse do të ketë ose jo një hetim në lidhje me vendimin e marrë nga bordi tashmë i shkarkuar i KPMM mbi ndikimin e mundshëm politik në ta, mbetet të shihet.
Vetëvendosje është akuzuar vazhdimisht nga partitë opozitare dhe shoqëria civile për politizimin e bordeve, përkundër që në të kaluarën e kishte luftuar deklarativisht një dukuri të tillë.
Në anën tjetër, ka pasur kritika edhe në lidhje me klimën armiqësore ndaj bizneseve pas ardhjes së partisë që drejtohet nga Kurti në pushtet.
Nga viti 2018, Ferronikeli kishte qenë nën pronësi të biznesmenit nga Shqipëria, Saimir Mane, ndërkohë që në vitin 2022 ai ishte shitur te kompania e madhe turke “Yildirim”.