“Me leje të LDK-së”: Keshilli Prokurial i reagon Buzhalës, e pranon që Kelmendi punoi gjatë okupimit në vitet ‘90
Këshillit Prokurorial të Kosovës duket se nuk po i del përplasja e vazhdueshme dhe e nxehtë me pushtetin. Ata së fundi kanë bërë një reagim mbi disa deklarata të gazetarit të Nacionales, z. Berat Buzhala.
Gjithçka nisi nga kryeministri Albin Kurti, dhe apologjia pasionante që ai i bëri shefit të pezulluar të KEK-ut dhe ish-anëtarit të tij, Nagip Krasniqit.
Kurti e sulmoi në mënyrë brutale si asnjëherë më parë prokurorin Blerim Isufaj. Kjo e nisi një debat të nxehtë politik, ku u përfshi edhe gazetari Buzhala.
Në argumentin e tij, ai u shpreh mes tjerash se u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi kishte punuar si prokuror gjatë periudhës më të errët të popullit tonë, asaj të okupimit në vitet ’90.
“Nuk isha marrë kurrë me Besim Kelmendin... e njoh moti, ka qenë korrekt por krejt e dinë që Besim Kelmendi ka punu gjatë luftës, jo në anën tonë, në anën e serbëve.” – tha së fundi Buzhala.
Dhe, del se e di edhe Këshilli Prokurorial...
Reagimi
Në reagimin e bërë të enjten e javës së kaluar, më 20 prill, KPK-ja i quan shpifje pretendimet e z. Buzhala por e pranon se Kelmendi ka punuar si prokuror në periudhën më të errët të shoqërisë kosovare.
Por, ata e kanë edhe një pretendim:
“...është fakt i njohur se punëtorët shqiptarë të administratës në gjykata dhe prokurori të cilës i përkiste edhe z. Kelmendi, kanë punuar në bazë të kërkesës së subjekteve politike shqiptare të asaj kohe, ku rolin kryesor e kishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)...”
LDK-ja ka bërë kërkesë që Besim Kelmendi me të tjerë të punonin për Serbinë?
Nacionale dërgoi pyetje në partinë që drejtohet sot nga Lumir Abdixhiku dhe mori një përgjigje fare të shkurtër.
“Ide nuk kam,” – tha zëdhënësja politike e kësaj partie politike.
Gazeta ka pyetur edhe KPK-në se për çfarë leje/kërkese nga LDK-ja bëhej fjalë dhe nëse mund të dokumentohej një gjë e tillë. Nacionale pyeti KPK-në edhe nëse z. Kelmendi ka punuar siç pretendojnë zëra të opinionit publik në zyren e prokurores famëkeqe Danica Marinkoviq.
KPK-ja ka paralajmëruar Buzhalën edhe se Besim Kelmendi do të bënte padi ndaj këtyre pretendimeve të Buzhalës.
Gazetari Buzhala
Ndaj reagimit të KPK-së ka reaguar edhe Buzhala, që kontestoi nëse ata e dinin “çka është shpifja”.
“Shpifja osht kur thu diçka të pavërtetë, e jo kur e thu një të vërtetë të dhimbshme,”
Buzhala ka paralajmëruar publikimin e një videoje tjetër në lidhje me çështjen në fjalë gjatë ditës.
Çka kishte thënë Kurti për Isufajn?
Prokurori Blerim Isufaj, një ish-ushtar i UÇK-së, ishte shënjestra e kryeministrit Albin Kurti në seancën e Kuvendit javën e kaluar pas arrestimit të shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.
Mes tjerash, Kurti u zotua që Isufaj nuk do të mund të bëhej asnjëherë kryeprokuror përkundër që emri i tij vazhdon të jetë në sirtarin e presidentes Osmani për dekretim.
Ai akuzoi Isufajn edhe se e kishte kategorizuar gabimisht rastin e vdekjes së Dino Asanajt dhe atë të Hamdi Sopës.

