"Diktaturë, e papranueshme": Qysh reagoi opozita pas sulmeve brutale të Kurtit ndaj Isufajt?
Senaca e sotme në Kuvendin e Kosovës na solli një deklaratë jo shumë të pritshme nga një kryeministër vendi. Por, duke folur për kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, tha se ai nuk do të mund të bëhet ndonjëherë Kryeprokuror, një vendim totalisht jashtë kompetencave të një kryeministri.
“Unë nuk kam dyshim që Prokurorinë e shtetit dhe atë sa më larg aq më shumë ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj meje, si kryeministër, por ndaj qeverisjen tonë, ndaj pushteti të ri të dalë nga 14 shkurti 2021. Kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufajt,”- tha Kurti, teksa shtoi, “por, nuk do të mundet (të bëhet kryeprokuror). Sepse këtu ka republikë dhe popull”.
E ndërsa dihet se një kompetencë e tillë, pra për dekretimin e Kryeprokurorit i takon presidentes Vjosa Osmani, deklarata e Kurtit u pa gjerësisht si e papranueshme.
Si u komentua kjo deklaratë nga opozita?
“Rrëshqitje në diktaturë” e cilësoi kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Kryeministri gabon rëndë kur i jep të drejtë vetes për t'i gjykuar veprimet e një prokurori, edhe nëse ai ka dyshime për punën e tij. Ai rrëshqet në diktaturë kur thotë se një person nuk do të mund të bëhet kryeprokuror sepse kjo është kundër dëshirës së tij. Vendosja e një kryeprokurori nuk bëhet sipas dëshirave të kryeministrit. Të paktën jo në sistemin tonë të drejtësisë!”- ishte shkrimi i Haradinajt në Facebook, ndërsa shtoi se ai ka kërkuar nga kryeministri dhe vartësit e tij që të rreshtohen në anën e drejtësisë dhe të distancohen nga sulmet e bëra ndaj prokurorisë.
Reagim pati edhe nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila tha se sulmet e Kurtit ndaj institucioneve të pavarura janë të frikshme dhe se kanë qëllim të mbjellin frikë e nënshtrim.
“E paprecedent, e frikshme dhe e rrezikshme kur Kryeministri i vendit, nga foltorja e Kuvendit, sulmon institucionet e pavarura. Kjo lloj mendësie synon të mbjellë frikë deri në nënshtrim. Sepse, të nënshtruara i duan institucionet e pavarura, mediat, sindikatat, opozitën. Jo Kryeministër. Kjo mendësi nuk kalon,”- shkroi Çitaku.
Ndërkohë, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nga Kuvendi janë kërcënuar institucionet e pavarura të shtetit.
“Nga Kuvendi kërcënohen institucionet e pavarura të shtetit, në emër të Republikës dhe popullit! Në rrjete sociale nga militantë të pushtetit linçohen zërat kritik opozitar dhe mediatik.Kjo është pamja e frikshme e profilit politik autoritar të kryeministrit dhe e partisë së tij në pushtet,”- ka thënë Halimi.
Deklaratën e Kurtit, shkelje të Kushtetutës e ligjit, e ka cilësuar kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
“Ka bërë ndërhyrje të Kushtetutës dhe të ligjit. Njerëz për deklarime të tilla ku ndërhyjnë në kompetenca është tejkalim i obligimeve ligjore. Kryeministri nuk e mbron Kushtetutën, këtë nuk po e kuptojnë, ai e zbaton. Mbrojtëse një pjesë është presidentja, ndërsa pjesën më të madhe Gjykata Kushtetuese,”- është shprehur Limaj.
Kujtojmë se gjithë debati në lidhje me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj erdhi pas arrestimit të drejtorit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi nën dyshimin se ka kryer veprat penale; “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “keqpërdorim i autoritetit e pozitës zyrtare” si dhe “konflikt interesi”.
E ndërsa në mbrojtje të Krasniqit, duke goditur Prokurorinë kanë dalë figura të shumta nga LVV, përfshirë vetë kryeministrin Kurti, reagim ka pasur edhe nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, që i ka quajtur deklaratat tendencioze duke shtuar se bëhen për nevoja të agjendave të caktuara publike.

