Mbi 20 mijë euro përfitime në vit: Deputetët i harrojnë ligjet e rëndësishme në seancë, fokusin te futbolli - NACIONALE

Mbi 20 mijë euro përfitime në vit: Deputetët i harrojnë ligjet e rëndësishme në seancë, fokusin te futbolli

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjysma e sallës së seancave plenare në Kuvendin e Kosovës ishte e zbrazët. Edhe të ministrave gjithashtu. Edhe ata deputetë që ishin në seancë, mendjen e kishin diku tjetër. Tek futbolli. Me piskama e duartrokitje ata për disa herë me radhë iu gëzuan golit dhe kualifikimit të Kroacisë ndaj Brazilit. Nacionale sjell detaje.

Në duart e deputetëve të Kosovës sot ishin dy projektligje tepër të rëndësishme. Projektligji për Zyrtarë Publikë e ai për Paga, kanë qenë të diskutuar vazhdimisht gjatë kohëve të fundit. Megjithatë, kur erdhi radha që këto dy nisma t’i diskutojnë deputetët, ata mendjen e kishin dikund tjetër.

Një pjesë e mirë e deputetëve, kryesisht të pushtetit, pasi ata të opozitës nuk ishin fare në sallë, i kishin dhezur lap-topët. Jo për të lexuar ndonjë fjalim apo informacion rreth Projektligjeve që po diskutoheshin, por për të shikuar futboll.

Nacionale publikoi një video ku shihen deputetët e VV-së të ulur në skaj të Kuvendit, duke e përcjellur ndeshjen ndërmjet Kroacisë dhe Brazilit. Në mesin e këtyre deputetëve ishin Dimal Basha, Haxhi Avdyli, Vendenis Lahu e të tjerë.

Sikur të mos mjaftonte fakti që nuk po merreshin me dy tema mjaft të rëndësishme, deputetët eskaluan në piskama e duartrokitje kur Kroacia shënoi golin e barazimit ndaj Brazilit.

“Bravo” ishte fjala që u dëgjua përderisa deputeti Nijazi Isaku po fliste për Projektligjin e Pagave. Nuk ishte “bravo” për fjalimin, por “bravo” për lojtarët kroatë që shënuan gol.

Kjo situatë nuk e nervozoi edhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Siç ndodh rëndom, ai është i ashpër me deputetët kur ata thyejnë rregullat. Njëjtë nuk ndodhi sot. Ai u mjaftua me disa thirrje që të mos bërtitet në sallë. Madje, Konjufca legjitimoi faktin që deputetët po e përcillnin futbollin.

“A bën kah të këqyrni futboll, mos me ba zhurëm”, u dëgjua të thotë Konjufca.

Më vonë, Konjufca i ftoi edhe deputetët futbolldashës që të marrin pjesë në votimin e Projektligjit për Zyrtarët Publikë.

“I ftojmë edhe ata tifozët e futbollit të na bashkohen”, tha Konjufca.

Më direkt dhe me kritika ndaj këtij zhvillimi ishte deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

“Më i rëndësishëm futbolli se ligji për paga”, tha Qalaj.

Megjthatë, pavarësisht këtij fakti, Projektligji për Zyrtarët Publikë dhe Projektligji për Paga u miratuan në lexim të parë. Madje, në Projektligjin për Paga u bënë bashkë pozitë e opozitë duke votuar për me 68 vota.

Sa paguhet një deputet?

Në rastin më konkret, për seancat sikur kjo sot kur nuk kanë fare interesim e shikojnë futboll, deputetët paguhen me 240 euro.

Paga bazë e një deputeti në Kosovë është 1,547 euro në muaj ose 18,564 euro në vit.

Kompensimi mujor për pjesëmarrje në seanca plenare është 240 euro, ndërsa kompensimi për mbledhje të komisioneve është 160 euro.

Të 120 deputetët kanë edhe të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit brenda dhe jashtë vendit me detyra zyrtare.

Në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës thuhet se deputetët marrin deri në 23 mijë euro pagë vjetore dhe kompensime të tjera.

Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, për t’i përfituar këto të ardhura, deputeti është i detyruar të marrë pjesë në seancat plenare dhe në mbledhjet e organeve ndihmëse të Kuvendit, në të cilat është anëtar.

Fitorja e Kroacisë

Kombëtarja e Brazilit, favoriti kryesor për të triumfuar në këtë Botëror është eliminuar nga finalisti i Kupës së Botës 2018, Kroacia. Ballkanasit sërish u treguan më të mirë në penallti, ashtu si në ndeshjen e kaluar, ndërsa Livakovic përsëri u tregua i jashtëzakonshëm.

Ndeshja e parë çerekfinale e Katarit 2022 nuk dha fitues brenda 90 minutave lojë, dhe për përcaktimin e fituesit u deshën edhe 30 minutat e vazhdimeve, në të cilën u shënuan dy gola por sërish fitues nuk pati dhe mundësia e fundit për të dalë një fitues ishin penalltitë, ku kroatët në krye me portierin në formë të mrekullueshme triumfuan për të arritur në gjysmëfinale.

Për Kroacinë nga 11-metërshi të saktë u treguan Vlasic, Majer, Modric dhe Orsic, ndërsa te Brazili gaboi Rodrygo në penalltinë e parë dhe Marquinhos në penalltinë e katërt për rezultatin 4:2.

Lajme të ngjashme