Mbi 1 mijë ankesa: Gjykata e Tenderëve nuk ka procedurë për përzgjedhjen e ekspertëve të jashtëm për ankesa
Një nga pozitat më të rëndësishme të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ende nuk ka procedurë për përzgjedhjen e ekspertëve të jashtëm që shqyrtojnë ankesat e operatorëve ekonomikë që ankohen në OSHP për tenderët. Kjo gjetje është përmendur në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të kryer në këtë institucion për vitin 2023. Në anë tjetër, avokati Qëndrim Arifi për Nacionalen ka komentuar këto të gjetura.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) nuk ofron asnjë procedurë për përzgjedhjen e ekspertit të jashtë për shqyrtimin e ankesave të operatorëve ekonomikë.
“Mungesa e metodologjisë për përzgjedhjen e ekspertëve të jashtëm. Gjatë testimit të pagesave, kemi vërejtur se OSHP angazhon ekspert të jashtëm për shqyrtimin e ankesave, megjithatë, menaxhmenti nuk ofron asnjë procedur të brendshme ose metodologji të dokumentuar që përcakton procesin për përzgjedhjen dhe caktimin e ekspertit të vlerësimit për shqyrtimin e ankesave të paraqitura nga operatorët ekonomik pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.” – thuhet në raportin e ZKA-së.
Edhe pse operatorët ekonomikë kanë ankesa të vazhdueshme për padrejtësi gjatë proceseve tenderuese, OSHP vazhdon të mos siguroj funksionim efikas të procesit të shqyrtimit të ankesave.
“Mungesa e një metodologjie të dokumentuar përcakton se menaxhmenti nuk ka vendosur kontrolle të brendshme për të siguruar funksionimin sa më efikas dhe efektiv të procesit të shqyrtimit të ankesave të paraqitura nga operatorët ekonomik.” – thuhet në raport.
Sipas ZKA-së, ndikimi i mungesë së procedurave për përzgjedhjen e ekspertëve të jashtëm ndikon në transparencë dhe në performancën e shqyrtimit të ankesave.
“Mungesa e procedurave të qarta për përzgjedhjen dhe caktimin e ekspertëve të jashtëm, mund të ndikoj në mungesën e transparencës gjatë përzgjedhjes së tyre dhe në performancën e realizimit të këtyre shërbimeve.” – thuhet tutje në raport.

ZKA ka rekomanduar që kryetari i OSHP-së të nxjerrë sa më shpejt procedurat e brendshme për përzgjedhjen dhe caktimin e ekspertëve, ndërsa është pajtuar për këtë gjetje.
Në anën tjetër, avokati Qëndrim Arifi për Nacionalen ka thënë se Auditori do të duhej të merrje me problemin kyç të OSHP-së me ekspertët, e që sipas tij, janë kriteret e ulëta dhe pavarësinë e tyre profesionale.
“Unë mendoj që Auditori nuk është që e ka trajtuar problemin real që ka OSHP-ja me ekspertët shqyrtues, problemi real i OSHP-së me ekspertët shqyrtues ose problemet për mendimin dy janë dy, e para kualifikimi i tyre, pra për me u konsideru ekspertë i OSHP-së, kriteret janë mjaft të ulëta dhe bazike ku i lejohet secilit që ka pasur pak përvojë pune në fushën e prokurimit publik të jetë ekspert dhe tjetra lidhet me pavarësinë e tyre, p.sh. OSHP-ja, dispozitat ligjore, kanë dhënë tepër pak kritere që duhet me u kualifiku një ekspert, respektivisht masat e sigurisë të pavarësisë së tyre në vendimarrje sepse rëndësia e tyre është mjaft e madhe sepse shumicën e herave OSHP-ja orientohet ose do të duhej të orientohet nga mendimi dhe vlerësimi i ekspertëve teknik."
“Mirëpo realisht pavarësia e tyre nuk sigurohet shumë me dispozita ligjore dhe të paktën Auditori ishte dashur ta shpërfaqë këtë të metë. Pra cilat janë ato masa që sigurojnë mosndërhyrje tek mendimi dhe vlerësimi i ekspertëve?”
Më tej, Arifi ka thënë se dyshon se është e lartë përqindja që OSHP-ja vendos ashtu siç kanë rekomanduar ekspertët dhe sipas tij, kjo është problematike pasi ngre pyetjet që “eksperët nuk janë të aftë profesionalisht të japin mendimin dhe vlerësimin e caktuar apo ku qëndron problemi që OSHP-ja nuk përkrah vendimin e ekspertëve?”
Ndërkohë, përveç çështjes së ngritur me lartë, edhe zotimi i mjeteve dhe nxjerrja e urdhër blerjës pas pranimit të faturës; vonesë në pagesën e faturave dhe mosregjistrimi e pasurive dhe paraqitjen jo të plotë në shpalosjet e Pasqyrave Vjetore Financiare, janë disa nga gjetjet tjera të ZKA-së në OSHP.
Kujtojmë se OSHP-ja gjatë vitit 2023 ka pasur mbi 1 mijë ankesa nga operatorët ekonomikë.