Mbahet seanca: Fshehja e 225 mijë dollarëve dhe takimeve me zyrtarët shqiptarë, akuza kryesore ndaj McGonigal
Ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal i është komunikuar sot aktakuza nga Gjykata e Uashingtonit, në një seancë që raportohet të ketë zgjatur rreth 15 minuta.
Bëhet e ditur se, McGonigal kishte marrë pjesë në seancë virtualisht bashkë me avokatët e tij dhe është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat që i janë ngritur nga departamenti i Drejtësisë.
Duke raportuar nga ShBA-të për Klan News, gazetarja Menada Zaimi, ka bërë të ditur se brenda aktakuzës së paraqitur ndaj McGonigal kishte nëntë akuza.
“Ka përfunduar gjyqi ku është i komunikuar akuza ish-zyrtarit të lartë të kundër zbulimit të FBI-së, ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria Amerikane, nga Departamenti i Drejtësisë. Ishin 9 akuza të përfshira brenda aktakuzës së paraqitur sot. Gjithçka përfundoi brenda 15 minutave. Zoti McGonigal u paraqit virtualisht dhe me dy avokatë mbrojtës të tij”, - ka thënë Zaimi.
Më tej, e pyetur për akuzat më të rëndësishme ndaj ish-zyrtarit McGonigal, gazetarja ka njoftuar se akuza themelore e ngritur ndaj tij për të cilën rrezikon 20 vite burgim, është fshehja e 225 mijë dollarëve të marra nga shtetasi shqiptar Agron Nevzaj si dhe fshehja e informatave rreth takimeve me zyrtarët e lartë kryesisht nga Shqipëria.
“Akuzat më të rëndësishme me të cilat ai rrezikon edhe një dënim me 20 vite. Zoti McGonigal akuzohet se ka marrë 225.000 dollarë nga ish-punonjës i Shërbimeve Sekrete të Shqipërisë që në aktpadi identifikohet si personi A. Sipas një dokumenti hetimor që ka rrjedhur për shtypin amerikan para disa kohësh, mendohet se ky personi A është shtetasi shqiptaro-amerikan Agron Nevzaj. Kjo është akuza themelore e ngritur ndaj tij, që ka fshehur këto 225.000 dollarë, plus faktit që ka fshehur dhe nuk ka dhënë informata rreth takimeve që ai ka patur në Ballkan me zyrtarë të lartë, kryesisht nga Shqipëria”, - ka raportuar ajo.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës, kryeministri shqiptar Edi Rama, e ka pranuar që është takuar me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, McGonigal, megjithatë ai ka thënë se hetimi ndaj tij, nuk ka lidhje me të apo me qeverinë shqiptare.
Ish-shefi për kundërzbulim në zyrën e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, u akuzua të hënën për bashkëpunim me një oligark të sanksionuar rus dhe fshehje të qindra mijëra dollarëve që dyshohet se i kishte marrë nga një ish-punëtor i një agjencie shqiptare të inteligjencës, kur ishte zyrtar i lartë i Byrosë Federale të Hetimeve.
Ndër të tjera në aktakuzën ndaj tij, është përmendur edhe fakti se gjatë disa udhëtimeve jashtë vendit në Shqipëri, Austri e Gjermani, McGonigal kishte dështuar që të tregojë përmes dokumenteve zyrtare amerikane se është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me një politikan kosovar dhe me disa figura të tjera.

