Masat nga BE-ja, shpërthimi në veri e identifikimi i sulmuesve: Çfarë tha Kurti nga rruga Prishtinë-Podujevë? - NACIONALE

Masat nga BE-ja, shpërthimi në veri e identifikimi i sulmuesve: Çfarë tha Kurti nga rruga Prishtinë-Podujevë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe një herë ka komentuar zhvillimet e fundit në veri, sanksionet nga Bashkimi Evropian dhe shpërthimet e sulmet në pjesën veriore.

Fillimisht, kryeministri përsëriti qëndrimin se masat nga BE-ja janë të padrejta, duke i cilësuar të përkohshme. Megjithatë, ai bëri thirrje që të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë në Kuvendin e Kosovës.

“Është e vërtetë që janë paralajmëruar masa edhe janë zbatuar disa prej tyre, ju e dini që ushtrimi i madh ‘Defender Europe’, sidomos në Gjakovë ku e kishim të planifikuar u pat anuluar, bëhet fjalë edhe për vizita e masa të përkohshme, të cilat për bindjen time janë të padrejta. Ajo që ne duhet të bëjmë është që në Kuvend, me 2/3 e deputetëve t’i kalojmë ato kredi dhe grante që kanë ngelur të ngujuara dhe s’po mund t’i gëzojë ekonomia e Kosova, rreth 149 milionë euro. Kredi dhe grante që pa 2/3 nuk po kalojnë. Teksa mërzitemi për masat e ardhshme të përkohshme, ne kemi një ngujim aktual të cilin do të mund ta largojmë bashkërisht në Kuvendin e Kosovës”, tha Kurti.

“Me BE jam në kontakt ë përditshëm dje kam biseduar me Borrellin edhe me ndërmjetësin Lajçak jam interesuar edhe për deskalim edhe për normalizim që nënkupton sundim të ligjit”, tha ai.

Kurti foli edhe për shpërthimin e mbrëmshëm në veri, dhe të dyshuarit për sulme ndaj gazetarëve, Policisë e KFOR-it. Tha se deri më tash kanë identifikuar disa prej tyre.

“Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona, identifikim i saktë që kanë marrë pjesë në sulme dhe dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, por njëkohësisht kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës, shok bombave, por edhe tek plumbat e automatikëve dhe revolverëve”, ka deklaruar Kurti.

Lidhur me shpërthimin e djeshëm, ka reaguar edhe Lista Serbe. Ata kanë bërë një teori duke thënë se këto bomba që po hedhen janë të qëllimshme, me qëllim për ta arsyetuar prezencën e Njësive Speciale në veri.

“Në emër të popullit serb, dënojmë ashpër incidentin që ndodhi mbrëmë, kur persona të panjohur hodhën bombën e mundshme, pranë vendbanimit ‘Tre Solitera’, në veri të Mitrovicës dhe shkaktuan shqetësim te qytetarët tanë. Jemi të bindur se kjo është bërë qëllimshëm për të arsyetuar praninë e shtuar të forcave speciale të armatosura dhe të automjeteve të blinduara, që mbrëmë pas këtij incidenti, kanë qenë në rrugët e Mitrovicës së veriut dhe i kanë frikësuar qytetarët”, thuhet në njoftim.

“Njoftojmë opinionin se edhe në rastin e gjoja zbulimit të armëve në automjete dhe bombave të supozuara të hedhura në godinën e komunës, është interesant fakti se kjo shok-bombë është hedhur edhe në zonën që prej javësh nën kontroll të plotë të njësive speciale”, thuhet në reagim.

Ndryshe, BE-ja ka bërë të ditur se kanë hyrë në fuqi disa sanksione kundër Kosovës. Kjo ka shkaktuar reagim të ashpër nga partitë opozitare në Kosovë.

Lajme të ngjashme