“Masa, zgjedhje, shtensionim”: Çka po thonë Borrell, Lajçak dhe BE-ja për situatën në veri?
Situata e tensionuar në vëri dhe nevoja për shtensionimin marrëdhënieve të trazuara mes Kosovës dhe Serbisë janë kryetema e deklaratave të zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Megjithatë, përveç zgjedhjeve dhe shtensionimit, së fundmi po përmenden edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mungesës së hapave konkrete për depërshkallëzim të tensioneve. Çka po thonë evropianët?
Në një intervistë për Euroneës Serbia, Miroslav Lajçak, emisar special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, deklaroi se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksndar Vuçiq, janë pajtuar që të mbahen zgjedhjet në veri. Madje, për herë të parë, Lajçak përmendi edhe një “hapësirë” kohore, duke theksuar se zgjedhjet e reja duhet të mbahen në muajt në vijim.
“Sigurisht që zgjedhjet e reja duhet të mbahen në muajt në vijim. Dhe kjo ishte një nga pikat për të cilat Vuçiq dhe Kurti ranë dakord. Është e qartë se kryetarët e bashkive nuk kanë legjitimitetin që duhet të kenë. Kryetar komunash me legjitimitet mund të jenë vetëm ata të zgjedhur nga serbët e Kosovës. Pyetja me të cilën po merremi është se kur dhe si do të arrijmë atje. Dhe sigurisht, që serbët të kenë motivimin për t’u ndjerë të sigurt dhe se kemi zgjedhje të lira." – theksoi Lajçak.
Ndryshe, diplomati evropian tregoi se dy liderët ballkanas e kuptuan se sa e rëndë është situata e tensionuar në vëri.
“Ai takim të enjten e kaluar në Bruksel ishte një takim për menaxhimin e krizës. Pra, nuk ishte një takim kushtuar normalizimit, dialogut, fatkeqësisht. Gjëja pozitive është se edhe Vuçiq edhe Kurti e kuptuan se sa e rëndë është situata. Askush nuk e fsheh këtë dhe nuk pretendon se nuk kemi krizë serioze në veri. Dhe së dyti, ata ranë dakord se një nga elementët kryesorë të daljes nga kriza janë zgjedhjet e reja. Aty ku ata nuk u pajtuan ishte çështja e de-përshkallëzimit. Si do të funksionojnë këta kryetarë dhe nga ku." - tha ai.
Ndryshe, shefi i Lajçakut, pra z. Josep Borrell, ditë më parë përmendi edhe masat e mundshme ndaj Kosovës dhe Serbisë, në rast se vazhdohen ende përshkallëzimi i situatës në vëri. Shefi i diplomacisë së BE-së vlerësoi se shtensionimi i situatës duhet të ndodhë, duke e përdorur edhe termin “masë”.
“Shtetet anëtare kanë nënvizuar shqetësimin për tensionet në vazhdim në veri të Kosovës dhe kam cekur rëndësinë që palët të shtensionojnë situatën, e të bëhet në përputhje me deklaratën e shteteve anëtare të bërë më 3 qershor. Mirëpresim lirimin e tre policëve të Kosovës që janë mbajtur në Beograd. Shtetet anëtare do të marrin masa nëse duhet, për ta rritur levën e BE-së e për ta përkrahur dialogun për normalizim.” - deklaroi Borrell këtë të hëne.
Në këtë konferencë për medie, Borrell e nënvizoi gatishmrinë e shteteve anëtare të BE-së për ndërmarrje ne masave nëse nuk ka progres në menaxhimin e krizës në veri.
“Dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për t’i zbatuar obligimet nga dialogu. Shtetet anëtare janë të gatshme të marrin masa të mëtutjeshme nëse nuk shihet progres. Është thënë se nga shtetet që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së presim sjellje evropiane. Në ditët në vijim do të vazhdojmë kontaktin me dyja palët. Por, shtetet anëtare janë të gatshme të jenë aktive e të na përkrahin në punën tonë.” - vlerësoi Borrell.
Edhe më konkret rreth masave ishte Gert Jan Koopman, drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, i cili gjatë një prononcimi mbrëmë deklaroi se disa masa ndaj Kosovës do të ndërmerren pak më vonë “në këtë javë”.
“Autoritetet e Kosovës nuk iu janë përgjigjur këtyre kërkesave fatkeqësisht, Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë.” – theksoi ai.
Madje Koopman i sqaroi pak më në detaje se çfarë mund të jenë këto masa.
“Ato do të përfshijnë pezullimin e punës së në kuptimin e organeve të Stabilizim Asociim dhe do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment, mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimi i kontratave po ashtu, do të pezullohen. Ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe po ashtu do të pezullohen. Tani më lejoni të theksoj se nuk i marrim me lehtësi këto veprime dhe këto duhet të shihen si të përkohshme dhe të kthyeshme kur të shohim hapat e vegjët të autoriteteve në Kosovë që të kthehen në dialog dhe për të implementuar zotimet që janë dhënë.” – tha ai.



