Marrëveshja e re me Serbinë shkeli parimet e vjetra të VV-së – çka ndodhi më 21 qershor?
Dita e djeshme ndoshta shënoi kthesën e Vetëvendosjes. U arrit marrëveshje e re në mes të Kosovës e Serbisë, në sektorin e energjisë. Faturat e rrymës, për të cilat Albin Kurti bënte zhurmë dikur, tash e tutje do të mblidhen nga qeveria. Qeveria e Serbisë…
“Nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat nëpër Veri, atëherë duhet të kthehet në pronë publike shpërndarja dhe furnizimi. Nëse s’e bën KEDS-i, duhet ta bëjë qeveria”, kishte thënë Kurti nga pozita e opozitarit.
Nuk është për çudi që Kurti provoi të arsyetohej edhe kësaj radhe, për shkeljen e parimeve e mosmbajtjen e premtimeve.
“Unë jam politikan, që vepron në një rrethanë të caktuar. Unë kam ndryshuar, por mua nuk më kanë ndryshuar idealet. Problemet që i kemi në Kosovë, nuk i kemi që kanë ndryshuar njerëzit, por që i kanë braktisur idealet”, tha Kurti, duke mos thënë gjë.
Nuk është për çudi që Vjosa Osmani, si tash e një kohë, e bëri ‘avokaten’ e VV-së. Kruciale, e cilësoi Osmani marrëveshjen e re, që s’përputhet me parimet e vjetra.
Kryetemë e 21 qershorit ishte marrëveshja e re me Serbinë e mosmarrëveshja e Vetëvendosjes me të kaluarën e saj.
Kurti dikur propozonte që Qeveria t’i mbledh faturat në veri, tash do ta bëjë Serbia
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për sektorin e energjisë elektrike. Kompania që do të bëjë faturimin e rrymës në komunat veriore është nga Serbia dhe jo kompani private serbe ashtu siç po theksohet nga Qeveria e Kosovës.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës [ARBK], kompania “JP Elektroprivreda Srbije Beograd” është pronare e operatorit Elektrosever. Kjo e fundit do të faturojë rrymën në veri, dhe aksionare kryesore del të jetë hiç më pak se Republika e Serbisë.
Ishte shtatori i vitit 2015, kur në një konferencë për medie, VV kishte kritikuar të njëjtën marrëveshje, mbi të cilën u bazua marrëveshja e nënshkruar nga kryenegociatori Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq.
“Marrëveshja për energjinë legalizon ndikimin e Serbisë, pamundëson unifikimin me Shqipërinë”, shkruante VV asokohe, me SHKRONJA TË MËDHA.
“Lidhur me çështjen e pronës brenda territorit të Kosovës, që theksohet në këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës ka pranuar që të jenë dy mendime të kundërta për pronësinë, mendime këto që sipas marrëveshjes kanë legjitimitet të barabartë dhe të plotë”, shtonin ata.
7 vite më pas, VV në pushtet ka tjetër qëndrim. Ata tashmë marrëveshjet që dikur ‘legalizonin Serbinë’, i kanë pranuar si platforma mbi të cilat duhet të bazohet marrëveshja e arritur sot.
Por, pranimi i marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara nga qeveritë e kaluara, simbolikisht ka “pajtuar” Kurtin me ish-presidentin Hashim Thaçi e ish-kryeministrin Isa Mustafa.
Presidentja Osmani në rolin e zëdhënëses së Qeverisë: Marrëveshja për energjinë me Serbinë është kruciale
Presidentja Vjosa Osmani është deklaruar në mbrëmje për temën më të madhe të ditës. Marrëveshja për energjinë, e nënshkruar nga Besnik Bislimi në emër të Qeverisë Kurti, është vlerësuar si “progress” nga ana e shefes së shtetit.
Në një postim në gjuhën angleze në Tëitter, Osmani e ka cilësuar marrëveshjen si një marrëveshje të një “rëndësie kruciale”.
Duke folur për marrëveshjen, Osmani foli pak edhe si zëdhënëse e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Kurti.
Ajo tha se Kosova është treguar konstruktive.
“Progresi i arritur sot në dialogun Kosovë-Serbi përmes arritjes së marrëveshjes për udhërrëfyesin e energjisë është i një rëndësie kruciale. Si gjithmonë, Kosova ka treguar të jetë konstruktive dhe e angazhuar në mënyrë aktive në këtë proces”, ka shkruar e para e shtetit.
Tutje, Osmani ka shkruar se tani duhet vetëm të zbatohet marrëveshja.
“Tani zbatimi është hapi kyç përpara!”, e përfundoi shkrimin e saj të shkurtër Osmani.