“Marrëveshja, Asociacioni, Kurti”: Debatet vlojnë nga gjuha e ashpër, një analist flet latinisht në emision
Televizionet kosovare kanë “vluar” gjatë natës me debate politike dhe jo vetëm. Shumica e emisionet janë fokusuar në çështjen e takimit të Ohrit, duke i komentuar gjerësisht çështjen e Asociacioni dhe 15 modeleve evropiane për “pakicat kombëtare”, të cilat Miroslav Lajçak, i dërguar i BE-së, ia dorëzoi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Si gjithnjë, në debatet e mbrëmjes nuk kanë munguar përplasjet e ashpra, duke bërë që analistët të eskalojnë në gjuhën e tyre.
Në fakt, debati i ashpër filloi ende pa nisur mirë mbrëmja e debateve. E hëna e 13 marsit do të mbahet mend për përplasjen mes analistëve Vehbi Kajtazit e Sadri Ramabajës. E gjithë erdhi për shkak të diskutimeve mbi përkujtimet që ia bëri Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dy figurave serbe, Oliver Ivanoviqit e Zoran Gjingjiqit.
Në kuadër të përplasjes, u përdorën terme të rënda, përfshirë “rrugaç, i paditur”.
“Nuk e vranë as pse e donte Kosovën, as pse po e luftonte Kosovën, por e vranë për hesape te veta...Sa i përket kryeministrit që po thotë e kam përkujtu, le ta përkujton, por duhet me ia rikujtu që të gjithë heronjtë e Kosovës nuk i kujton.” – vlerësoi Kajtazi.
“Mund të gjejmë figura më pozitve, por Ivanoviqi i akuzuar për vrasjen e mbi 50 shqiptarëve, çka gjen këtu të mirë” – deklaroi Kajtazi në Klan Kosova.
“Kam përshtypjen që i mësuar me gjuhën e propagandës, nuk shkëputet dot dhe unë e kuptoj. Pikëpamjet janë krejtësisht të ndryshme.” – deklaroi Ramabaja.
E këtu ndërhyri Kajtazi.
“O gjuhën e propagandës e keni ju.” – ia kthen Kajtazi Ramabajës.
E kur filloi mbrëmja e debateve, protagonistë të mbrëmjes ishin analistët e Kanal 10. Më saktësisht, Halil Matoshi, Blerim Gashi e Krenar Shala, të cilët janë analistë të përhershëm në emisionin “Politiko”. Në fakt, Gashi e filloi emisionin në një mënyrë qesharake, duke folur pak në gjuhën latine.
Moderatori i emisionit të sotëm, e pyeti nëse do të ketë tym të bardhë në Ohër.
Z. Gashi iu përgjigj në latinisht, duke theksuar se “ka marrëveshje”, një gjuhë që i referohet zgjedhjes së papës së ri.
“Habemus agreement, kemi marrëveshje, por me i ra shkurt, po duket që ka indikacione të tërthorta që mund të mos ketë prezencë të zotit Vuçiq (në Ohër v.j.)” – tha z. Gashi, i cili e vazhdoi tutje analizën e tij.
“Mund të kemi befasi momentale” – vazhdoi ai.
Por një moment të sikletshëm gjatë emisionit e pati analist Krenar Shala. Ai nuk arrit të artikulojë mendimin e tij, duke e shtyrë moderatorin Kushtrim Sadiku të ndërhyjë.
“Duke e marrë parasysh që bashkësia ndërkombëtare nuk e ka levën kryesore që do të mundësonte kushtimisht “mposhtjen” e Serbisë, pra nënshtrimin e Serbisë për t’iu akomuduar rendit në të cilin është duke e imponuar bashkësia ndërkombëtare, që prej viteve 1945, atëherë gjasat janë shumë të vogla që Serbia do të mund t’i nënshtrohet këtyre…” – tha z. Shala, që nuk kuptohet mirëfilli se çfarë po dëshiron të thoshte.
E një gjë e tillë duket ta ketë bezdisur edhe moderatorin e emisionit, z. Kushtrim Sadiku.
“Je duke e komplikuar tani” – i tha z. Sadiku.
E pas kësaj, z. Shala tentoi të përfundonte mendimin e tij, të cilin mund ta dëgjoni në videon e mëposhtme.
Kolegët i tij, pra z. Gashi e z. Matoshi, e patën një përplasje kah mesi i debatit. Ata u përplasën rreth Asociacionit dhe 15 modeleve evropiane. Në fakt, përplasja filloi kur Gashi nisi të fliste për modelet që po diskutohen aktualisht, e që sipas tij janë katër.
“Në qoftë se kemi pasur marrëveshje të 2013, atëherë çka u quan peshë Lajçaku 15 modele, në qoftëse kjo punë qenka e kryer” – e filloi argumentimin e tij z. Blerim Gashi.
“Me shkru statusin o shok” – ia ktheu Halil Matoshi, gazetari vetaran që është si vullkan gjatë debateve televizive.
“Qysh implementohet Asociacioni pa status, ashtu n’bahçe të babës s’un del…” – ishte fjalia e radhës nga z. Gashi.
Në shpjegimin e mendimit të tij, z. Gashi bëri edhe një kapërcim interesant.
“Zajednica nuk kalon, Asociacioni kalon.” – tha z. Gashi.
“Çka je tu fol o Gash?” – e pyeti z. Matoshi.
Për çudi, më qetë sonte ishte në “Debat Plus”, emisionin që udhëhiqet nga moderatori Ermal Panduri. Aty kishte vetëm një përplasje, ajo në mes Nezir Krakit, analist që jeton (e me gjasë edhe vepron në shtetin francez) dhe anëtarit të PSD-së, Zgjim Hyseni.
Mënyra se si argumentonte z. Nezir Kraki, analist që jeton (dhe me gjasë edhe vepron) në Francë, nuk i ka pëlqyer Zgjim Hysenit, anëtarit të PSD-së. Në fjalën e tij, Hyseni fjalimin e Krakit e quajti propagandë.
“Po i përngjan gjuhës së pushtetit. Është sinonim për propagandën. Është propagandë, se ti sapo the që s’është pranu Asociacioni, qysh?” – i tha Zgjim Hyseni analistit Nezir Krakit, që thotë se është profesor në Francë, i cili edhe qeshi pak me ketë akuzë të anëtarit të PSD-së.
“Nuk është pranu. Ku është pranu Asociacioni? Cili, ku është?” – tha z. Kraki.
“Pika 10, çka thotë, le bre mos bo hajgare” – ia ktheu z. Hyseni.




