Maqedonci: Rreziku i përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, më i lartë se kurrë
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë me dije se rreziku i përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë është më i lartë se kurrë.
Në ceremoninë e përfundimit të suksesshëm të trajnimit të përbashkët të pjesëtarëve të njësisë Hazmat të FSK-së, ai ka thënë se mirëmbajtja dhe zhvillimi i kapaciteteve të mbrojtjes nga materiet e rrezikshme është domosdoshmëri.
“Ambienti aktual i sigurisë në botë dhe regjion po dëshmon qartë se sa i rëndësishëm ka qenë dhe mbetet bashkëpunimi me DTRA dhe mbështetja që DTRA i ka dhënë që nga viti 2014, Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kërcënimet nga akterët e rinj dhe të vjetër me prirje autokratike dhe me qasje hegjemoniste dhe agresive nuk po e sfidojnë vetëm rendin e ri botëror por dhe rregullat e luftës të përcaktuara në ligjin humanitar ndërkombëtar. Në këtë aspekt rreziku i përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë dhe agjentëve kimik dhe biologjik është më i lartë se kurrë. Duke i shtuar kësaj rreziqet që përcjellin zhvillimin e gjithmbarshëm industrial dhe teknologjik, mirëmbajtja dhe zhvillimi i kapaciteteve të mbrojtjes nga materiet e rrezikshme është domosdoshmëri, siç është domosdoshmëri bashkëpunimi në mes partnerëve regjional për tu përballur me këtë sfidë të kohëve moderne”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Më tej, ai ka përmendur edhe pajisjet që FSK-ja ka marrë nga ShBA-ja.
“Republika e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës e në veçanti Garda Kombëtare, ndër vite, përveç eksperiencës së fituar nga trajnimet, nga programi i DTRA i Shteteve të Bashkuara ka pranuar pajisje me vlerë mbi 2 milion dollarë, gjë që i ka mundësuar këtij kapaciteti tonë të jetë ndër kapacitetet me profesionale dhe kompetente që ka Republika e Kosovës”, ka shkruar ai.