Maqedonci që thuhet se do ta zëvendësojë Mehajn, kishte dalë në pension të parakohshëm para pak ditësh
Ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita që mbante.
RTK ka raportuar se atë do ta zëvendësojë në këtë pozitë Ejup Maqedonci, koloneli i njohur në FSK.
Mirëpo, Maqedonci para pak ditësh kishte dalë në pension të parakohshëm.
Lajmi ishte bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjesnëpërmjet një komunikate për media, raporton Nacionale.
“Në Ministrinë e Mbrojtjes, sot u mbajt ceremonia e përcjelljes për në pension të parakohshëm të kolonelit të FSK-së, Ejup Maqedonci. Me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i ndau mirënjohje kolonelit Maqedonci për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe avancimin e MM-së dhe FSK-së”, thuhej në postim.
Kolonel Ejup Maqedonci ishte pjesëtar i luftës çlirimtare të vendit, komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Llapit. Më pas në uniformën e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), si komandant për një dekadë i Batalionit të Kërkim- Shpëtimit dhe për të vazhduar kontributin si pjesëtar i FSK-së në detyrën Shef i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimit në Shtabin e Përgjithshëm.