Maliqi: Kurti dhe Osmani kanë përgjegjësi për ta nxjerrë Kosovën nga bllokimi ndërkombëtar - NACIONALE

Maliqi: Kurti dhe Osmani kanë përgjegjësi për ta nxjerrë Kosovën nga bllokimi ndërkombëtar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Politologu Agon Maliqi ka bërë me dije se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani duhet të tregohen të kujdesshëm në procesin e dialogut me Serbinë.

Ai ka thënë se liderët institucionalë kanë përgjegjësi që përmes këtij procesi ta nxjerrin Kosovën nga kjo bllokadë ndërkombëtare.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka vlerësuar se Kosova duhet t`i shfrytëzojë mundësit që ka tani për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë.

“Kurti dhe Osmani kanë një përgjegjësi shumë të madhe që ta përgatisin opinionin publik dhe ta zbresin në tokë nga retorika populiste, sepse kanë një mundësi për ta nxjerrë Kosovën nga bllokimi ndërkombëtar pa e paralizuar së brendshmi. Strategjisë së tyre të deritashme të ‘brinkmanship’-it - pra të sinjalizimit të gatishmërisë për të destablizuar, dhe të përdorimit të dialogut për konsum të brendshëm – i ka skaduar afati, sepse Perëndimi, në këtë kohë lufte evropiane, nuk do t’i shpërblejë trazuesit. Jo më kot po na mbahen peng vizat dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës nga vetë shtetet aleate”, ka thënë ai, duke përmendur kohen brenda të cilës duhet të arrihet marrëveshja.

“Shpresoj se Kurti dhe Osmani do ta shfrytëzojnë këtë mundësi, veçanërisht faktin se edhe dy vjet e kemi Bidenin në presidencë në ShBA, sepse gjërat pastaj bëhen më të paparashikueshme. E nëse e bëjnë, besoj se në emër të interesit të përgjithshëm do të duhej të hasnin në mbështetje përtej linjave partiake”, është shprehur ai.

Ai ka treguar se tani Kosova është në një pozicion të mirë për të biseduar.

“Mendoj se Kosova është në pozicion të favorshëm negociues për ta fituar atë që dëshiron ta fitojë në tavolinën e negociatave, pa pasur nevojë për dramat dhe krizat e sigurisë që i pamë këtë periudhë në veri. Kosova ka qeveri me legjitimitet publik dhe opozitë e cila është zotuar se nuk do ta kundërshtojë rreth temës së dialogut. Gjithashtu, pas një viti e gjysmë, ekipi qeveritar edhe mund të ketë fituar pak përvojë të nevojshme dhe i njeh më mirë detajet e procesit. Së jashtmi, Kosova gjithashtu ka pozicion të favorshëm për shkak të unitetit mes ShBA-së dhe BE-së si dhe dobësimit relativ të Rusisë, i cili e ka cunguar dhe ngujuar Serbinë në një pozitë ku nuk mund ta shpërfillë fort Perëndimin dhe të shesë më lojën e shantazhit”, ka thënë ai.

Ai ka tregua se pushteti aktual në Kosovës ka një frymë mosbesimi ndaj opozitës dhe aleatëve në dialog.

“Mendoj se pjesa ku lidershipi për momentin çalon shumë, është fryma e thellë e mosbesimit ndaj aleatëve, ndaj Shqipërisë, opozitës, medias apo edhe shoqërisë civile. Pra Qeveria më duket e papërgatitur, së paku në dimensionin e trajtimin të dialogut, si njëfarë instrumenti përmes të cilit të tjerët po synojnë ta rrënojnë, pra perceptimit se palët me interesa ose mendime të tjera janë detyrimisht armiq. Me frymë të tillë antagonizuese nuk do të mund të arrihet asgjë”, ka thënë ai, duke përmendur problemet tjera që lidhen me këtë proces.

“Problemi tjetër me pozicionimin e Kosovës është edhe opinioni publik, i cili ka mjaft iluzione për dinamikat gjeopolitike dhe natyrën e marrëdhënieve komplekse mes Perëndimit dhe Serbisë. Ekziston një pritshmëri naive, e ushqyer nga elita e sotme politike, se koha po punon për Kosovën dhe se Perëndimi do të duhej ta gjunjëzonte Serbinë për hatër të Kosovës. Prandaj edhe vazhdon njëfarë ngarendje për t’ia dëshmuar Perëndimit se sa pro-ruse është Serbia dhe sa pro-perëndimore është Kosova”, ka vlerësuar Maliqi.

Kosova duhet të insistojë në njohjen nga pesë vendet e BE-së

Ai ka ftuar përfaqësuesit e Kosovës që në procesin e dialogut t`i respektojnë disa vija të kuqe.

“Kosova, së pari, nuk duhet t‘i përsërisë gabimet e dekadës së shkuar duke paragjykuar gjithçka dhe duke u futur me paranojën e ‘kleçkës ndërkombëtare, sepse kështu po ushqehet fryma e rrezikshme e izolacionizmit, e cila nuk po na lejon të zhbllokohemi nga pika ku jemi ngujuar. Kosova duhet të tregohet e gatshme të marrë pjesë, të mos tregohet penguese dhe të insistojë që marrëveshja të përmbyllet më shpejt, gjithsesi jo pa kushte”, është shprehur ai.

Sipas tij, Kosova vazhdimisht duhet ta kërkojë njohjen nga Serbia.

“Sa i përket përmbajtjes, Kosova formalisht dhe publikisht asnjëherë nuk duhet të heqë dorë nga kërkesa për njohje formale prej Serbisë, por realisht duhet të tregohemi pragmatikë dhe të kuptojmë se ajo njohje na duhet më shumë si instrument për t’u zhbllokuar ndërkombëtarisht sesa për diçka tjetër. Në këtë moment, njohja në OKB nuk na garantohet as me njohje të drejtpërdrejtë për shkak të Rusisë dhe, për më tepër, rrezikon ta rrisë peshën e kompromisit të brendshëm (kërkesën e Serbisë), kur vjen puna tek asociacioni. Gjithsesi, ruajtja e funksionalitetit të shtetit duhet të mbetet prioritet dhe vijë e kuqe në çfarëdo marrëveshje, por unë personalisht shqetësimin kryesor e kam tek instrumentet garantuese të ndërmjetësuesve”, është shprehur ai.

Ndër të tjera, Maliqi ka thënë se në këtë proces Kosova nuk duhet të pranojë asnjë marrëveshje pa garancione se do të njihet nga pesë vendet anëtare të BE-së.

“Vija e kuqe e Kosovës duhet të jetë edhe garantimi i njohjes prej pesë vendeve anëtare të BE-së (sidomos katër vendeve të NATO-s) dhe hapja e procesit të anëtarësimit në NATO. Pa këtë garanci nuk mund dhe nuk duhet të ketë marrëveshje. Vetë anëtarësimi në NATO si i tillë, fatkeqësisht, nuk mund të garantohet, sepse kërkon miratim nga kuvendet e të gjitha shteteve anëtare.”, ka thënë Maliq.

Lajme të ngjashme