Macroni propozon rritje të madhe të shpenzimeve ushtarake për periudhën 2024 – 2030 - NACIONALE

Macroni propozon rritje të madhe të shpenzimeve ushtarake për periudhën 2024 – 2030

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të premten propozoi rrtje të shpenzimeve ushtarake për më shumë se 25 për qind në vitet e ardhshme, duke thënë se kjo ngritje do të jetë ndihmë për ta siguruar transformimin e ushtrisë për t’iu përgjigjur shumë kërcënimeve të mundshme.

Buxheti i planifikuar për periudhën 2024 – 2030 do të mundësonte një program transformimi për ta përshtatur ushtrinë për mundësinë e konflikteve me intensitet të lartë, që është bërë edhe më urgjent që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, tha presidenti francez.

Planifikohet që buxheti për këtë periudhë të jetë 413 miliardë euro, dukshëm më shumë se shuma prej 295 miliardë eurosh për periudhën 2019 – 2025, njoftoi Macroni gjatë një fjalimi për Vitin e Ri para ushtarëve të premten. Mesatarisht, kjo do të përbënte rritje prej 28,5 për qind të buxhetit vjetor ushtarak – nga 49,2 miliardë në 68,8 miliardë euro.

“Franca ka dhe do të ketë ushtri të gatshme për sfidat e shekullit”- tha presidenti francez në bazën ajrore në Mont-de-Marsan, në jugperëndim të këtij shteti. Ai shtoi se Franca do të investojë shumë në dronë dhe inteligjencë ushtarake dhe se kërkon nga ushtria që të drejtohet nga një strategji e konfliktit me intensitet të lartë.

Sipas presidentit, Franca duhet të jetë gati për një epokë të re me një grumbullim të rreziqeve. Disa prej këtyre rreziqeve janë luftërat e vjetra, disa të tjera më të pashembullta, “mes sofistikimit dhe thjeshtësisë brutale”- tha Macroni.

Ai gjithashtu tha se Franca do ta rrisë kapacitetin për t’u kundërpërgjigjur në rast të sulmeve kibernetike dhe se do të sigurohet që të ketë më shumë kapacitet ushtarak në dispozicion në çfarëdo kohe.

Presidenti shtoi se, në veçanti, Franca do t’i kushtojë vëmendje të posaçme pranisë ushtarake të saj në territoret e largëta, sidomos në Indo-Paqësor, ku po shfaqen rreziqe të reja, sipas tij.

Lajme të ngjashme