Më pak biznese të reja në maj, tregtia mbetet sektori kryesor - NACIONALE

Më pak biznese të reja në maj, tregtia mbetet sektori kryesor

2 orë më parë

nga NACIONALE

Kosova ka shënuar rënie në dy fronte të ndërmarrjeve të reja, duke mbetur prapa si në raport me muajin prill, ashtu edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, gjatë majit janë regjistruar gjithsej 1,108 ndërmarrje të reja. Krahasuar me prillin, kur u regjistruan 1,124 ndërmarrje, kjo paraqet 16 më pak, ose një rënie prej 1.4 për qind. Në krahasim me majin 2025, kur ishin regjistruar 1,333 ndërmarrje, numri është më i ulët për 225 ndërmarrje.

Nëse shihen lëvizjet mujore gjatë një viti, marsi i vitit 2026 rezulton si muaji me më së shumti regjistrime, me 1,339 ndërmarrje të reja. Në anën tjetër, nëntori i vitit 2025 ishte më i dobëti, me vetëm 919 regjistrime. Pas kulmit të marsit, trendi ka qenë në rënie, duke zbritur në 1,124 në prill dhe më pas në 1,108 në maj.

Sa i përket ndërmarrjeve që janë mbyllur, në maj janë regjistruar 78 të tilla. Ky është një numër më i ulët krahasuar me prillin (107) dhe majin e vitit të kaluar (141). Në këtë kategori, kulmi është arritur në mars 2026, me 147 ndërmarrje të shuara.

Sa i përket sektorëve, tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve, vazhdon të dominojë me 278 ndërmarrje të reja, ose 25.1 për qind të totalit. Pas saj vijnë sektori i akomodimit dhe shërbimeve të ushqimit me 126 ndërmarrje, ndërtimtaria me 119 dhe prodhimi me 105. Këto katër fusha së bashku përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjitha regjistrimeve në maj.

Struktura sipas madhësisë mbetet pothuajse e njëjtë: pjesa dërrmuese janë mikro ndërmarrje. ASK raporton 1,101 të tilla, ndërsa vetëm 7 janë ndërmarrje të vogla. Për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha nuk është regjistruar asnjë rast gjatë këtij muaji.

Në aspektin rajonal, Prishtina vazhdon të kryesojë me 523 ndërmarrje të reja. Pas saj renditen Prizreni me 130, Ferizaj me 110, Mitrovica me 100, Gjilani me 86, Gjakova me 83 dhe Peja me 76.

Shumica dërrmuese e bizneseve të reja janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, që përbëjnë 77.17 për qind të totalit. Bizneset individuale zënë 22.56 për qind, ndërsa kompanitë e huaja dhe shoqëritë aksionare përfaqësojnë një pjesë shumë të vogël.

Lajme të ngjashme