Lushi: Pushteti dhe opozita nuk guxojnë ta shndërrojnë aksionin terrorist të Serbisë në top politikash partiake
Ish-eprori i UÇK-së, Uk Lushi, i cili jeton dhe vepron në ShBA ka vlerësuar se shpërthimi i mbrëmshme në sistemin ujor Ibër-Lepenci është aksion i dizajnuar dhe komanduar nga Aleksandar Vuçiqi.
Ai ka bërë me dije se pushteti dhe opozita nuk guxojnë ta shndërrojnë këtë aksion terrorist në top politikash partiake.
Në profilin e tij në “Facebook”, Lushi ka shkruar se shteti duhet të mbrohet bashkë.
“Shpërthimi në kanalin e sistemit ujor Ibër-Lepenci në veri është aksion i dizajnuar dhe komanduar nga Aleksandar Vučić. Pushteti dhe opozita nuk guxojnë ta shndërrojnë këtë aksion terrorist në top politikash partiake. Vučić është duke shfrytëzuar transferin presidencial në Ëashington DC dhe duke testuar ujërat dhe të fitojë terren negociues para se Presidenti Trump të inaugurohet.
Shteti duhet të mbrohet bashkë, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita. Serbia i ka dy qëllime: 1) të vendosë atmosferë terrori dhe 2) të përçajë shqiptarët Kosova është në pyetje. Partitë duhet spostuar anash kur rrezikohet interesi shtetëror. Sot dhe në çdo përpjekje me Serbinë duhet të jemi një. Terrori i Serbisë nuk do të fitojë assesi”, ka shkruar Lushi.