Luftë videosh: Rinia e LDK-së i kundërpërgjigjet VV-së përmes reklamave të "zbritjeve" nga qendrat tregtare
Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur t’i përgjigjet në gjuhën e tyre Lëvizjes Vetëvendosje. Në fakt, t’i përgjigjet me video. Sepse, "videoja pjell videon". Disa ditë pas videos ku VV e cilësonte LDK-në dhe Lumir Abdixhikun “shkatërrues të shtetit”, partia më e vjetër në Kosovë ka bërë një reagim me të njëjtën monedhë.
Në 1 minutë e 2 sekonda video të postuar nga Forumi i Rinisë, LDK ka treguar shtrenjtimin e çmimeve të disa prej produkteve bazike në Kosovë.
Partia e Abdixhikut ka zgjedhur melodinë e reklamave të qendrave tregtare të mëdha për të dërguar një mesazh të qartë politikë.
“Dy vite qeverisej – dy vite befasi!”, ishte titulli i videos, e në të cilën theksohej rritje e çmimeve të miellit, bukës, qumësht, vëzeve e produkteve të tjera.
“Ju prezantojmë me ofertën më të mirë të Qeverisë për vitin e fundit!”, është mesazhi hyrës, teksa videoja përmbyllet me paralajmërimin se qytetarët i presin “edhe shumë befasi të tjera marramendëse”.
Videoja vjen një ditë pasi Lumir Abdixhiku, kreu i LDK-së, iu përgjigj Kurtit në lidhje me akuzën se ai është “shkatërrues i shtetit”.
“Shpesh kam parë që kundërshtarin tim politik, Albin Kurtin e quajnë “shërbëtor të Serbisë”, unë nuk mund ta bëj një gjë të tillë. Unë besoj se është i paaftë për të qeverisur është i dëmshëm për vendin është polarizues dhe nuk ka aftësi qeverisëse – mbi këto baza do ta kundërshtoj, por nuk mund të them që është shërbëtor i Serbisë sikurse nuk mund ta konsideroj shkatërrues të shtetit aq më pak që kemi bashkëpunuar një pjesë të kohës e aq më pak që bënte përpjekje për të bashkëpunuar”, tha ai në Debat Plus.
Në fakt, në muajt e fundit Kosova është përballur me infalcion të lartë, teksa në shtator inflacioni shënoi 12,7 për qind.
Videot e VV-së
Më 3 tetor, LVV iu kthye gjuhës opozitare, duke u shërbyer me video e në të cilën flitej për qeverisjen 20-vjeçare, të cilën e quan “regjim i vjetër”.
E kuptueshëm, videospoti çoi shumë pluhur, dhe u komentua gjërësisht në media e në skenën politike.
Mesazhi kryesor i videos ishte i thjesht: Kosova është shkatërruar për 20 vjet. Por, siç shkroi Nacionale, pretendimet e ngritura në video janë potencialisht të “rrezikshme për shëndetin e demokracisë” edhe ashtu jo të qëndrueshme të Kosovës.
“Edhe pasi humbën, beteja e tyre anti-shtet vazhdoi”, vlerësonte Vetëvendosje përmes videos në fjalë, duke lënë të nënkuptohet se opozita është anti-shtetërore.
Videoja në mënyrë të qartë shënjëstronte tre liderët aktual të partive opozitare: Memli Krasniqit (PDK), Lumir Abdixhikut (LDK), dhe Ramush Haradinajt (AAK).
Por, cak edhe më i hapur ishte edhe e kaluara e partive opozitare. Nëpërmjet një gjuhe aspak të pranueshme, LVV sulmoi ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, e ish-presidentin tjetër, Behgjet Pacolli.
Por, përveç gjuhës vulgare që dështoi të jepte mesazhe të qarta, video propagaduese vuante edhe nga gabimet e mëdha drejtshkrimore.
Pushteti i tanishëm bëri shumë gabime, madje gabime të rënda drejtshkrimore gjatë përpjekjes për t’i goditur rivalët politikë.
Në përshkrimin e videos në rrjetin “Facebook”, është shkruar gabimisht “20 vite”. Duhet të shkruhet “20 vjet”.
Në një fjali tjetër, nuk është vendosur presja para lidhëzës kundërshtore “por”.
Më poshtë, është përdorur shkronja e madhe për të shkruar një parafjalë (rreth) pas dy pikave. Në këtë rast nuk duhet të përdoret shkronja e madhe.
Në video, mbiemri “20-vjeçare” është shkruar ndaras, pa vizë, shkruante Nacionale në analizën e saj mbi videon propaganduese.
Këtë metodë përgjithësuese, analistët politikë e vlerësuan si tendencë të VV-së për të rishkruar historinë.
E pak ditë më vonë, LVV lëshoi edhe një videospot tjetër, e ku flitej për terminalet, që sipas tyre po udhëhiqeshin nga njerëz të familjarëve të politikanëve të rëndësishëm të Kosovës.


