“20 vitet e shkatërrimit”: Si tentoi LVV me video të rishkruajë historinë?
Së fundmi Lëvizja Vetëvendosje, në faqen e saj në Facebook, ka publikuar një video, përmes së cilës i ka akuzuar gjitha partitë opozitare se për 20 vjet e kanë shkatërruar shtetin e Kosovës.
Partitë Opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë reaguar ndaj videos, duke e konsideruar si video propaganduese.
Njohësit e politikës në vend e cilësojnë videon e LVV-së si një tentativë për t’i mbuluar dështimet e saj për afër 2 vjet qeverisje dhe si tendencë për ta retushuar të kaluarën.
Video
Gazetari veteran, Halil Matoshi, tash edhe analist i njohur, thotë se videoja e publikuar nga Vetëvendosje, është një tentativë për ta kontrolluar historinë.
“Lëvizja Vetëvendosje, e pasigurt dhe e paaftë me e drejtu qeverisjën e vendit dhe e pa guximshme të marrë vendime të vështira, jopopullore, por në të mirën e kosovarëve, i është rikthyër historisë, në një betejë për kontroll mbi të, e të cilën e ka humbur edhe njeriu me pushtetin ma të madh ndonjëherë, ndër shqiptarët, Enver Hoxha”, tha Matoshi.
Tutje, Matoshi vlerëson se teza për një Kosovë të pajetueshme dhe shtet të dështuar është tezë serbe.
“Në video përsëritet paradoksi: Ishte mirë, por u shkatrru çdo gjë në këto 20 vjet!? E Kosova krejt çka ka, përfshi pavarësinë kombëtare e ka kriju në këto 20 vjet, me gjakun dhe djersën e grave e burrave atdhetarë! Teza për një Kosovë të pa jetueshme dhe shtet të dështuar është krijuar në qarçet akademike serbe, si vazhdimësi e tezave imperialiste serbe se shqiptarët nuk dijnë të mbajnë shtet!? Albin Kurti është ngujuar në doktrinat ideologjike të majta populliste duke ia përballë të vërtetës faktike, të vërtetat e tij alternative. Dhe për një kohë qytetarët e kanë besuar!? Por besimi i turmave rëndom zgjatë, pak sepse vuen nga amnesia”, tha Matoshi.
Edhe gazetari Xhevdet Pozhari për videon e Lëvizjes Vetëvendosje thotë se ishte një tentativë për ta mbuluar pafuqinë e tyre për t’i realizuar premtimet.
Ai madje e kontekstualizon videon e postuar, duke thënë se ishte një kundërreagim ndaj partive opozitare, që sipas Pozharit, e akuzojnë qeverinë vend e pa vend.
“Më shumë sesa akuzim i të tjerëve, ka qenë përpjekje për t'u shfajësuar ndaj elektoratit të tyre të cilët me të drejtë mund ta pyesin se ku janë premtimet, e veçanërisht thënia që Vetëvendosje e ka pasur moto të secilës protestë "Hajnat në burg", "Me hajna nuk ka shtet". Sot ata kanë dështuar ta ndërtojnë narracionin publik se duhet më shumë kohë për t'i vënë punët në binar, veçanërisht me shtyllat shtetërore, siç janë arsimi, drejtësia dhe shëndetësia, segmente këto që janë për faqe të zezë.”, tha ai.
Me tej, Pozhari mendon se kjo video nuk i bën nder partisë më të madhe në Kosovë.
“Videospote të tilla nuk i bëjnë nderë një partie në pushtet, vetëm sa e thellojnë përçarjen midis njerëzve. Kjo më tepër ngjan në një refleks se Vetëvendosje ndjen nostalgji për ditët kur ka qenë në opozitë. Ngaqë në opozitë kanë qenë shumë më të suksesshëm sesa në Qeveri”, thotë ai.
Të huajt krenarë me Kosovën
Liderët botërorë, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në çlirimin e vendit shpesh janë deklaruar krenarë me arritjet e Kosovës për 20 vitet, të cilat sipas videos së LVV-së qenë vite të shkatërrimit.
Sipas ish-presidentit të SHBA-ve dhe njëherit njohësit më të mirë të rrugëtimit të Kosovës që nga vitet e 90-ta, Bill Clintonit, Kosova për 20 vjet ka shënuar sukses të madh në shtetndërtim, paqe dhe në zhvillimin ekonomik.
“Më kujtohen fytyrat e njerëzve që takova ato ditë. Pas 20 vitesh mendoj se ju keni arritur të fitoni paqen. Ju keni bërë tashmë një diçka të jashtëzakonshme dhe ju keni dhënë gjeneratave tuaja paqe. Që nga atëherë, ju keni mbajtur zgjedhje të lira. Keni patur drejtësi dhe jeni një ndër katër vendet e Evropës që po përjetoni rritje ekonomike dhe duhet t’ju lavdërojmë më shumë, por natyrisht duhet të bëni më shumë. Ju keni luftuar për këtë dhe ju keni fituar”, deklaronte Clinton në shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Të njëjtën gjë e kishte thënë edhe ish-skretarja amerikane Madeleine Albright, e cila vdiq muaj më parë.
Si një ndër personalitetet më pro-kosovare, ajo përherë thoshte se ndihej krenare me arritjet e Kosovës.
“Ne arritëm që të krijojmë një shtet ku njerëzit ndihen të sigurt”, thoshte Albright në Prishtinë.
