Lufta e Vjosës me Putinin dhe dorëzimi para homofobisë, Qosjes, Kurtit, dhe ambasadorit amerikan
Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 doja që Vjosa Osmani të bëhej kryeministre e Kosovës. Besoja që ishte e vetmja ndër kandidatët tjerë që nuk i hante fjalët e saj. Deri atëherë, Vjosa kishte qenë goxha konsistente në qëndrimet që kishte shprehur - dhe në politikën tonë ku liderët burra ndërronin qëndrimet më shpesh se çorapet – kjo ndjellte frymëzim.
Presidentja Vjosa Osmani pas pesë ditësh do të detyrohet të numërojë të arriturat e saj, meqë mbush një vit në këtë pozitë. Nuk e di se çka do të fusë në numërim! Ndoshta, edhe ajo do ta përmendë Parkun e Erës si Albini!
Sidoqoftë, po i numëroj edhe unë një varg heshtjesh të saj përgjatë dy javëve të fundit që më kanë shkaktuar bezdi të madhe, bile edhe më shumë se kur shihja formimin e partisë së saj në zyret e Presidencës.
Gjatë ditës së djeshme, e bëra një intervistë me profesorin amerikan dhe ish-diplomatin Edward P. Joseph, i cili drejtpërdrejt më tha se Kurti përmes vendimit mbi të votuarin në zgjedhjet serbe i kishte “çuar përpara interesat serbe duke i dëmtuar ato të Kosovës”.
I sugjeroj edhe presidentes që ta lexojë!
Presidentja ishte në Kosovë, jo në Katar, kur trysnia ndërkombëtare për këto zgjedhje u rrit. Ishte në Kosovë edhe kur ambasadorët e shteteve më të forta të NATO-s lëshuan një akuzë të rëndë ndaj vendit tonë duke thënë që kishim dështuar të dëshmonim përkushtim për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve serbë.
Më pas, iku për në Katar pa e thënë asnjë fjalë!
Unë e di se çka mendon Vjosa Osmani për këtë çështje. Ajo e di se akuza e shteteve të QUINT-it është tepër e rëndë për një vend të vogël e të brishtë si Kosova. E di edhe se mënyra se si u mbajtën zgjedhjet deri sot e mbronte sovranitetin e Kosovës. Po ashtu, e di që parimi themeltar i shtetësisë – multietniciteti – duam a s’duam, nuk ka kurrfarë vlere pa komunitetin serb.
Por, kjo heshtje na e paraqet thjesht si një grua tjetër të nënshtruar ndaj rrebeve të një burri. Ajo mund të mos jetë mbuluar me çarçaf para sheikut Al Thani në Katar – sepse fatmirësisht kjo nuk kërkohej – por mbulohet përditë në Kosovë me ‘çarçafët’ e kryeministrit Kurti.
Vjosa Osmani nuk ka folur as për 200 mijë aplikimet e qytetarëve të Kosovës për të ikur në Gjermani. Ashtu siç nuk ka folur as për Kodin Civil që i hapte një deriçkë bashkësive të regjistruara civile për seksin e njëjtë e përmes kësaj – me shpresë – edhe martesave të seksit të njëjtë. Madje, një deputet të cilin ajo e kishte rekrutuar në Listën e saj ('Guxo' ose 'Vjosa', ose qyshdo që quhet) me emrin Burim Karameta (ose Meta, ose qyshdo që ka vendosur ta bëjë mbiemrin e ri) shprehu qëndrime të papranueshme për temën. Vjosa heshti! Ajo pritet të mos flasë as për akuzën e pakuptueshme e të ulët të Rexhep Qosjes ndaj saj të bërë mbrëmë, që ndoshta është orkestruar nga vetë Albin Kurti. Nëse mendoni se është irrelevante, shihni sa njeriu e ka shpërndarë dhe çfarë fjalësh janë thënë në to.
Por, Vjosa po ashtu edhe foli. Foli në Katar, por për çështje krejtësisht tjera, duke ma kujtuar ish-presidentin e mëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin!
Dhe, tashmë – pas një mungese të dhimbshme të Hashim Thaçit e Kadri Veselit – duket se edhe është çliruar sepse e ka gjetur një ‘thes tjetër boksi’ ku mund të godasë e të godasë me nostalgjinë e goditjeve të duartrokitshme të dikurshme. Është fjala për Vladimir Putinin!
P R I T J E T
Vjosa Osmani ndoshta është prej presidentëve më të ashpër me fjalët e saj ndaj presidentit rus! Sipas burrit të saj, Prindonit, ajo po e mëson edhe presidentin amerikan Joe Biden se si ta shajë Putinin. Na mbetet të shpresojmë vetëm që gafën e bërë nga Bideni për “ndryshim regjimi në Rusi” të mos ia ketë mësuar presidentja jonë.
Në fakt, unë e konsideroj patetike e të pakrye krejt punën e deritashme nga presidentja Vjosa Osmani sepse kam pasur pritje krejtësisht tjera prej saj!
Si shumë e shumë liderë tjerë vendesh të vogla – e megjithatë më të mëdha se Kosova – ajo duhet të ketë një qasje më për toke. Ta zëmë, mund t'i ofrojë strehë në shtëpinë e saj ndonjë viktimë të dhunës në familje, qoftë edhe si simbolikë e luftimit të kësaj dukurie. Të jetë përditë e pranishme te grupet e margjinalizuara dhe të jetë sa më pak formale në diskutime e në debate duke denoncuar shtypjen dhe duke u bërë me të shtypurit. Të shkojë në shtëpitë e qytetarëve tanë serbë, e të flasë me ta për të krijuar një platformë për dialogun e brendshëm. Të shkojë edhe te shtëpitë e qytetarëve tanë romë, ashkali e egjiptas. Të shkojë edhe në shtëpitë apo banesat e qytetarëve të seksit të njëjtë që bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Të shkojë në treg e të bisedojë me tregtarët për t’u lidhur më fort me hallet e tyre, por edhe me hallet e blerësve në këtë kohë çmimesh të rritura. Çka të bëjmë me ekonominë informale? Brenda këtyre fjalëve të burokratizuara fshihen jetë njerëzish, përjetime njerëzore.
Janë disa fakte që Vjosa duhet t’i përbrendësojë: Kosova nuk i ka as 11 mijë kilometra katrorë dhe as 2 milionë banorë.
Ajo që Vjosa Osmani na ka mësuar deri këtu është se konsistenca nuk thyhet veç përmes fjalësh tjera që i dalin kundër fjalëve të mëhershme. Konsistenca thyhet edhe përmes heshtjeve.