Luan Krasniqi: dikur kampion boksi, tash “militant” me komente tek Kurti e Osmani - NACIONALE

Luan Krasniqi: dikur kampion boksi, tash “militant” me komente tek Kurti e Osmani

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Luan Krasniqi, dikur kampion evropian në boks, duket se pas pensionimit ka mjaftueshëm kohë të lirë. Ai nuk është ende trajner boksi (nuk dihet nëse do të jetë ndonjëherë), e as analist në ndonjë nga mediumet e njohura të Gjermanisë, shtet për të cilin dikur boksonte. Aq shumë kohë të lirë ka, sa z.Krasniqi zgjedh të komentojë shpesh nëpër postime të ndryshme, kryesisht të politikanëve të fuqishëm të Kosovës.

Krasniqi, kampioni i dikurshëm i boksit (ndonëse në disa raste edhe kampion i zhgënjimit të zemrave shqiptare), është kampion edhe jashtë ringut. Në sferën e komenteve, Krasniqi dallohet nga larg. Ai zgjedh të komentojë gjithnjë pozitivisht, me shumë lëvdata e fjalë miradie për liderët aktual të Kosovës.

Por, dy janë liderët e preferuar të z.Krasniqit: Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, i pari kryeministër, e tjetra presidente e Kosovës. Madje, ai nuk i ndan kurrë, kurdo që komenton në profilin e njërit, komenton edhe tek tjetri. Duket se Krasniqi e ka “dashurinë” e njëjtë si për Kurtin, ashtu edhe për Osmanin, andaj zgjedh t'u komentojë të dyve.

Së fundmi, më saktësisht dje, z.Krasniqi i servoi lëvdatat më të mëdha për dy liderët. Madje, ai Kurtit e Osmanit i komentoi me të njëjtën gjuhë, aq sa tingëllonte sikur të ishte ndonjë profil i rreme, që komentin e kopjuar e shpërndan në disa profile.

Por, çfarë i tha Krasniqi dy liderëve shtetëror, të cilët po qëndrojnë në Francë?

Caku kësaj radhe i boksierit nga Juniki ishin postimet e Kurtit e Osmanit në lidhje me vizitën e tyre në Francë. Krasniqi i komentoi Kurtit në postimin për takimin me z.Emmanuel Macron, president i Francës, e ku ishte pjesë edhe zonja Osmani.

Një nga gjërat më të mira që ka Kosova jeni ju dhe mbarë stafi juaj politik o Albin i nderuar, natyrisht edhe Presidentja Vjosa Osmani”, ishte komenti i Krasniqit, koment që për nga ngjyrimi i shkon një militanti të zjarrtë partie.

Nuk e dimë, ndoshta edhe z.Krasniqi është militant. Sidoqoftë, Krasniqi, që e ka të verifikuar llogarinë në Facebook, mori shumë pëlqime nga përkrahësit e Kurtit. Saktësisht, 1 mijë e 800 pëlqime deri në momentin e botimit të këtij shkrimi, e që është një numër i madh pëlqimesh (për të cilin e xhelozon edhe autori i këtij shkrimi).

Pra mund të kuptojmë që komenti është i pëlqyer nga masa, e ku bëjnë pjesë edhe militantët e Lëvizjes Vetëvendosje, partia në pushtet.

E pas Kurtit, shënjestër e radhës e z.Krasniqit, kuptohet për komentim, ishte edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmanit. Ai shkroi pak a shumë të njëjtën fjali, me pak shkurtime.

Një nga gjërat më të mira që ka Kosova jeni ju dhe mbarë stafi i juaj politik”, i komentoi zonjës Osmani z.Krasniqi tek postimi me z.Macronin.

Kutjojmë që Krasniqi dikur ishte një boksier i suksesshëm, ndonëse nuk arriti asnjëherë të shpallej kampion bote në peshën e rëndë. Sidoqoftë, ai mbahet mend për disa meçe interesante, të cilat i dhanë shumë popullaritet në Kosovës, Gjermani, e pse jo edhe botë.

Lajme të ngjashme