Lordët e legalizuar të shpifjes
Vizita e ish-presidentit Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit, shtatë vjet e shtatë muaj më parë, nuk u harrua asnjëherë. Asokohe, Serbia dhe UNMIK-u reaguan me nervozitet ndaj vizitës. Nga 2021-a e këndej, gjithandej rrjeteve sociale, kanale të afërta propagandistike me Lëvizjen Vetëvendosje përhapën falsifikime blatante të disa prej fotoshkrepjeve nga kjo vizitë. Një fushatë dezinformuese e hibride manipuloi fotografitë duke e paraqitur motobarkën e Policisë së Kosovës si gjoja barkë private e Radojiçiqit, kurse pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Mbrojtjes së Afërt si “roje të Radoiçiqit”. I gjithë qëllimi ishte që të trivializohej rëndësia e kësaj vizite në Ujman. Megjithëse këto përpjekje falsifikuese janë përgënjeshtruar disa herë me radhë, mediume fantome si ‘Bota Sot’ dhe opinionistë të saj si Idriz Zeqiraj kanë filluar një mësymje të re ndaj ish-presidentit Thaçi dhe trashëgimisë së tij.
8 maj 2026 – Në mesditën e 28 shtatorit 2018, presidenti i asohershëm i Kosovës, Hashim Thaçi e vizitoi Liqenin e Ujmanit.
Në një ditë të vrerët e pa diell, një motobarkë që linte pas vete një vazhdë të shkumbëzuar po çante midis ujërave të liqenit.
Për pak orë, fotoshkrepjet e kësaj vizite morën dhénë.


Vizita që trazoi shumëkë
Simbolika e udhëtimit ishte mjaft domethënëse.
Motobarka, të cilën e ngiste vetë presidenti Thaçi, po barte me vete edhe imazhin kuptimplotë se institucionet shtetërore Kosovës ishin zotër sovranë të krejt hapësirës territoriale të Kosovës.
Në mbrëmjen e po asaj dite, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, brofi me një konferencë urgjente, pasi kishte ngritur në këmbë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dhe po i rrihte daullet e retorikës së luftës.
Thaçi, sipas tij, po e rrezikonte paqen (“mir je ugrožen”) dhe Policia e Kosovës po e merrte (“zauzele”) liqenin, ndaj dhe ushtria serbe po vihej në gatishmëri të lartë luftarake (“najviša borbena gotovost”).
Hakmarrja e VV-së
Në anën tjetër, Thaçit po atë ditë iu hap edhe një front i brendshëm.
Opozita e tij, asokohe partia e Albin Kurtit, u ndje e çarmatosur nga kjo vizitë e papritur.
Me këtë paraqitje triumfaliste, Thaçi ia kishte hequr dhéun nën këmbë mëtimit të Vetëvendosjes se veriu po i “falej” Serbisë dhe se institucionet shtetërore nuk guxonin ta vinin këmbën përtej Ibrit.
Aq e thellë qe disfata në rrafsh simbolizmash sa Lëvizja Vetëvendosje nuk e harroi asnjëherë këtë vizitë.
Nga 2021-a e këndej, kanalet e bishtat e saj mediatikë në rrjete sociale iu rikthyen kësaj vizite duke e përgatitur një hakmarrje retroaktive.
Nga një autorësi e panjohur, fotografia ikonike e Thaçit u manipulua në një hollësi perfide.
Motobarkës, e cila ishte pronë e Policisë së Kosovës e me të cilën realizoheshin patrullime kufitare në Vermicë e Ujman, iu shtuan në pjesën e parme mbishkrimet çirilice “Republika Srbija” dhe “Patrolna Gazivoda”.

Se ky falsifikim ishte bërë mes shqiptarësh, mjafton formulimi i dytë ku dëshmohet mosnjohje gramatikore e serbishtes (forma ‘patrolna’ është mbiemërore dhe nuk përkon me gramatikën e serbishtes ku kërkohet një emër femëror).
Lufta hibride me falsifikim fotografish
Kaq mjaftoi që kjo fotografi e manipuluar të përdorej si ilustrim i narrativave të rreme sesi presidenti, Hashim Thaçi, e paska huazuar një motobarkë nga Serbia.
Falisfikimi kaloi pa kurrfarë filtri verifikues në mediumet që i shkonin pas avazit të partisë në pushtet, siç dëshmon ky dhe ky rast.
Të amplifikuara përmes mijëra shpërndarjeve, këto manipulime hibride krijuan bindjen sikur vizita e kreut shtetëror ishte bërë me ‘izën’ e Serbisë dhe nën mbrojtjen e lordëve lokalë të krimit, si Milan Radoiçiqi.
Pavarësisht ndonjë përgënjeshtrimi kohëpaskohe, këto manipulime sot e kësaj dite vazhdojnë të bëjnë jetë të pavarur duke gëzuar status të së vërtetës.
Tani kur është çështje muajsh vendimi i Tribunalit të Hagës, mediumi me redaksi fantome ‘Bota Sot’ i ka aktualizuar sërishmi këto manipulime.
Bota Sot, streha ku falsifikimet fitojnë status të së vërtetës
Së fundmi, ky medium i ka bërë vend aktivistit kundërthënës të LDK-së në Gjermani, Idriz Zeqiraj.
Në një nga opinionet e radhës, militanti 79-vjeçar, mik i afërt i ish-ministres së Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, e ka evokuar vizitën e Thaçit në Ujman. Sipas tij:
“(…) atë ditë presidenti Hashim Thaçi shëtiste në Liqenin e Ujmanit, me varkën dhe rojet e Radoiçiqit, në shoqërim të Bedri Hamzës, Rashid Qalës, Abelard Tahiri dhe ndoca të tjerëve!”

Kështu shfaqet inxhinierimi i antihistorisë ku ngjarjet e para tetë viteve shpërfytyrohen gjer në mosnjohje.
Paçka se kjo vizitë shtetërore është e mirëdokumentuar, e arkivuar edhe në protokolet presidenciale, kjo nuk ka mjaftuar që përmbajtja e saj të manipulohet deri në kufijtë e shtrembërimit të plotë.
Motorbarka, të cilën opinionisti i Botës Sot e quan “varkë”, nuk ishte e Radojiçiqit, por aset i Policisë së Kosovës me të cilën kryheshin dhe kryhen patrullimet e rregullta kufitare në Vërmicë e Ujman.
Shoqëruesit në motobarkë e skaj saj nuk ishin “roje të Radojiçiqit”, por pjesëtarë të njësive elitare të Policisë së Kosovës dhe Mbrojtjes së Afërt.
Vizita në fjalë, as në protokol shtetëror e as në raportime mediash, nuk ka qenë “shëtitje”, por vizitë presidenciale që nisi në liqenin e Ujmanit dhe përfundoi te pikëkalimi kufitar në Bërnjak.
Megjithëse vizita e 28 shtatorit 2018 pati mbulim solid mediatik, e megjithëse bëhet fjalë për një ngjarje të para tetë viteve, kjo mund të jetë një shembull sesi historia e re mund të çvërtetësohet dhe narrativizohet sipas vullneteve të caktuara.
Mediumi fantom me një njeri në Pfaffhausen
Joastësisht, perversione të tilla, që filluan si falsifikime banale me fotografi dhe përfunduan si materiale diatribike në mediume fantome, ngjallen sot në një valë të organizuar Thaçofobie.
Këndi i vetëm virtual ku gjejnë hapësirë botimi këto manipulime vazhdon të mbetet ‘Bota Sot’.
Pavarësisht se ky medium nuk ka redaksi e as adresë fikse, më 10 maj 2023, ai nxori krye si biznes privat i Xhevdet Mazrekajt, me emrin zyrtar “Bota Sot GmbH”, i regjistruar në Pfaffhausen të komunës së Fällandenit, kantoni i Zürichut.
Sipas të dhënave zyrtare të shtetit zviceran, që janë të qasshme edhe online, më 26 shtator të po atij viti, një gjykatë në rrethin e Usterit hapi procedurat për likuidimin e kompanisë, e cila zyrtarisht u fshi nga regjistrat komercialë më 5 shkurt të këtij viti.
Hëpërhë, biznesi i riregjistruar i Mazrekajt mban emrin “Bota Sot, Inh. Mazrekaj” me seli në Pfaffhausen.
Në faqen zyrtare të mediumit nuk jepet asnjë dromcë për vendndodhjen e mediumit, as për redaksinë e as për stafin.
Çuditërisht, edhepse vijon me format fantom, pronarin e kanë përcjellë vazhdimisht hije dyshimi edhe nga bashkëpunëtorë të dikurshëm.
Të vetmet të dhëna të portalit janë disa numra xhirollogarish me anë të të cilave ‘lexuesve’ u bëhet rixha që të kontribuojnë financiarisht.
Duke qenë se bëhet fjalë për një medium që pos pronarit, Xhevdet Mazrekaj, nuk ka asnjë gazetar, prurjet ditore të ‘Botës Sot’ janë kopjimet nga portale të tjera dhe huazimet e statusave nga rrjetet sociale.
Idriz Zeqiraj, militanti që e deshi Kurtin dhe u hidhërua me të sebet Vjosa Osmanit
Kontribuesi i saj, Idriz Zeqiraj, është nga ata që kanë bërë emër fillimisht si partizanë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe partizës ‘Guxo’ e, pas skizmes përfundimtare mes aleatëve të dikurshëm, kanë anuar drejt krahut të Vjosa Osmanit.
Në verën e vitit 2021, Zeqiraj ishte apostrofuar si emër i mundshëm që MPJ-ja me Donika Gërvallën t’ia besonte postin e ambasadorit të Kosovës në Tiranë.
Me një atitudë të thekur kundër UÇK-së dhe njerëzve bartës të saj, istogasi kundërthënës nuk është ekspozuar shumë në mediat vizuale, hiq këtu një paraqitje tani vonë te emisioni “Fakte” i Adnan Merovcit.

I lindur më 1947 në Studenicë të Istogut, ai ishte arratisur në rrethana të paqarta në Shqipëri më 1968.
Në këtë vit, thuhet, se ai filloi për pak kohë studimet në Shkollën e Lartë në Lezhë.
Sipas disa shpalimeve arkivore të studiuesit Kastriot Dervishi, i riu istogas, Idriz Sadri Zeqiri kishte qenë njëri nga informatorët e parë të Sigurimit kur u kërkua që të bëhej një profil mbi Ibrahim Rugovën i cili e vizitoi Shqipërinë më 1968.

Më 1988, Ministria e Brendshme në Tiranë kishte marrë vendimin për dëbimin politik të emigrantit.
Sipas dosjeve të kohës, istogasi rezultonte se ishte në përpunim si “agjent i mundshëm jugosllav”, duke u raportuar nga 17 bashkëpunëtorë të tij. /Nacionale/