Lista Serbe me gjuhë të ulët sulmon Kurtin pas pretendimeve të një 15 vjeçari: Është fëmija i katërt
Lista Serbe ka reaguar ashpër dhe në mënyrë të papranueshme për sulmin e pretenduar ndaj një 15-vjeçari serb në Suhodoll nga katër persona që pretendohet se flisnin gjuhën shqipe, megjithëse detajet e rastit nuk dihen akoma.
Ani pse nuk ka një konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës, Lista Serbe i ka dhënë vetes të drejtën që të japë shpjegimin e saj për ngjarjen dhe të nxis gjuhë të urrejtjes dhe të tensioneve as një muaj pas shtensionimit të situatës.
“Sulmi i paprovokuar dhe i poshtër ndaj djalit serb Llazar Millutinoviq nga një grup shqiptarësh në Suhodoll para forcave speciale të Kurtit, është vazhdim i planit të tmerrshëm të Albin Kurtit për të frikësuar dhe dëbuar serbët nga Kosova dhe Metohija. Pas tentativës për vrasjen e Stefanit dhe Milloshit në Shtërpcë dhe rrahjes së Stefan Tomiqit në Kllokot, pesëmbëdhjetë vjeçari Llazar është fëmija i katër që sulmohet nga ekstremistët shqiptarë në vetëm pak javë,” – u shprehën nga kjo parti politike.
Lista Serbe e ka dënuar edhe heshtjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë për këtë rast.
Çka ndodhi?
Llazar Millutinoviq ka pretenduar sot që është sulmuar nga katër persona që flisnin shqip derisa po shkonte në punë. Rastin e ka lajmëruar babai i tij në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut.
Këta të fundit janë kontaktuar nga Nacionale për të marrë një qëndrim, por kanë qenë të paqasshëm deri tash.